2016-11-29 12:28:00

Papa: përvuajtëria e krishterë është virtyt i të vegjëlve


Të vegjëlve, jo të diturve e të mëdhenjve, Zoti u zbulon Misterin e Shëlbimit. Kështu tha Papa në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Françesku u ndal në virtytin e të vegjëlve, që është frika e Tënzot.

Të vegjëlve iu zbulohet Misteri i Shëlbimit

Papa mori shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës, për të nënvizuar se Zoti preferon zemrën e të vegjëlve e atyre ua zbulon misteret e Tij. Edhe Leximi i parë, i mbushur me detaje të vogla, të çon në këtë rrugë, kujtoi Ati i Shenjtë. Vërtet, Isaia profet flet për filizin, që do të mbijë mbi trungun e Jeseut e jo për ndonjë ushtri, që do të sjellë shpëtim. E të vegjlit janë edhe protagonistët e Krishtlindjes:

“Pastaj, për Krishtlindje, do ta shohim këtë vogëlsi, këtë gjë të vogël: një fëmijë, një grazhd, një nënë, një babë…. Gjëra të vogla. Zemra të mëdha, por qëndrime prej të vegjlish. E mbi këtë filiz do të pushojë Shpirti i Zotit, Shpirti Shenjt, e ky filiz i vogël do të ketë atë virtyt të të vegjëlve, që është frika e Tënzot. Do të ecë në frikën e Tënzot. Jo në kuptimin e keq të fjalës: jo. Do të thotë ta zbatosh në jetë urdhërimin që Hyji i pati dhënë atit tonë, Abrahamit: ‘Ec në praninë time e ji i paqortueshëm’. I përvuajtur. Kjo është përvuajtëria. Frika e Tënzot është përvuajtëria”.

“Jo” përvuajtërisë për t’u dukur

Vetëm të vegjlit, vijoi Papa Françesku, janë në gjendje ta kuptojnë plotësisht përvuajtërinë, ndjenjën e frikës së Tënzot, sepse ecin me Zotin përpara, i cili i sheh e i ruan. E ndjejnë se Zoti u jep forcë për të ecur përpara. Kjo është përvujtëria e vërtetë, shpjegoi Ati i Shenjtë:

“Ta jetosh përvuajtërinë, përvuajtërinë e krishterë, do të thotë të kesh frikën e Tënzot, e cila – e përsëris – nuk është frikë në vetvete, por është e tipit: ‘Ti je Zoti, unë jam njeriu. Unë eci në jetë me gjëra të vogla, por eci në praninë Tënde, duke u përpjekur të jem i paqortueshëm’. Përvuajtëria është virtyt i të vegjëlve, por përvuajtëria e vërtetë, jo ajo e teatrit: jo, për t’u dukur, jo! Si përvuajtëria e atij që thoshte: ‘Unë jam i përvuajtur, por jam krenar për këtë’. Jo, ajo nuk është përvuajtëria e vërtetë. Përvuajtëria e të voglit është ecja në praninë e Zotit, pa folur keq për të tjerët, por duke parë vetëm shërbimin e tij, duke u ndjerë më i vogli… Aty qëndron forca”.

T’i lutemi Zotit për hirin e përvuajtërisë

E përvuajtur, shumë e përvuajtur është vasha, që Zoti e zgjodhi për të dërguar Birin e vet në histori, vërejti Papa, duke menduar për Krishtlindjen. Maria shkon tek Elizabetta pa i thënë asgjë për ç’i kishte ngjarë. Përvuajtëria është kështu, vërejti Ati i Shenjtë, të bën të ecësh në praninë e Hyjit, plot gëzim se Ai i Lumi na sheh, ashtu siç thuhet në Ungjillin e sotëm:

“Duke e kthyer vështrimin kah Jezusi, që galdon plot gëzim, sepse Zoti ua zbulon misterin e Tij të përvuajturve, mund të kërkojmë sot për të gjithë ne hirin e përvuajtërisë, hirin e frikës së Tënzot, të ecjes në praninë e Tij, duke u përpjekur të jemi të paqortueshëm. E kështu, me këtë përvuajtëri, mund të jemi vigjilentë në lutje, të frytshëm në bamirësinë vëllazërore dhe të ngazëllyer e plot gëzim në lëvdimin e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.