2016-11-29 12:42:00

Papa Françesku kujton në një mesazh atë Kolvenbach S.J.


Papa Françesku shpreh “ngushëllimet më të sinqerta” për vdekjen e atë Peter Hans Kolvenbach, S.J., ish eprorit të përgjithshëm të Etërve Jezuitëve nga viti 1983 deri më 2008, i cili ndërroi jetë të shtunën e kaluar më 26 nëntor në Bejrut në moshën 86 vjeç.

Në një telegram dërguar eprorit të sotëm të përgjithshëm të Jezuitëve, atë Arturo Sosa, Papa Bergoglio kujton “besnikërinë e paprekshme të atë Kolvenbach ndaj Krishtit e ndaj Ungjillit të tij, së bashku me impenjimin bujar, që e kreu me shpirtin e shërbimit në detyrën e tij për të mirën e Kishës”.

Ati i Shenjtë i lutët Hyjit për shpirtin e devotshëm të rregulltarit, duke “kërkuar, nga Mëshira e Zotit, paqen e përjetshme për shpirtin e tij”. Së fundi, duke thënë se “është shpirtërisht i pranishëm në ritin e salikimit”, Papa Françesku u jep bekimin e tij apostolik sivëllezërve jezuitë e të gjithë atyre që bashkëndajnë dhimbjen për këtë humbje të madhe.

Mbi trashëgim që i lë atë Kolvenbach Shoqërisë së Jezusit dhe Kishës, atë Federiko Lombardi tha në mikrofonin e Radio Vatikanit: “Praktikisht ishte epror gjeneral i Jezuitëve gjatë  Papnisë së Gjon Palit II, në se mund të shprehemi kështu. Prej këndej, na shoqëroi të gjithëve në këto vite, nëpër ndryshimet e botës së sotme e edhe gjatë pakësimit numerik të Urdhrit tonë Jezuit,, por gjithnjë me sytë drejtuar nga misioni, nga shpresat e Kishës, duke e ndjerë veten cum ecclesia  (me Kishën) e duke qenë, kështu, qetësisht e pozitivisht, të radhitur në Misionin universal të Kishës. Ja pra: ishte personalitet, që ne e kujtojmë me dashuri shumë të madhe e me mirënjohje shumë të madhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.