2016-11-28 13:39:00

Françesku: për ta takuar Jezusin duhet të vihemi për udhë


Feja e krishterë nuk është teori, as filozofi, është takim me Jezusin. Këtë nënvizoi Papa Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në fillim të Kohës së Ardhjes. Papa pohoi se për ta takuar me të vërtetë Jezusin, duhet të jemi për udhë në tri mënyra: vigjilentë në lutje, veprues në bamirësi, hareplotë në lavdërim.

Ta takosh Jezusin: ky është hiri, që dëshirojmë në Kohën e Ardhjes. Papa Françesku e përqendroi homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, mbi temën e takimit me Zotin. Vërejti sidomos se në këtë periudhë të vitit, Liturgjia na propozon një mori takimesh me Jezusin: e takojmë me nënën e tij, që e mban në prehër, me Shën Gjon Pagëzuesin, me barinjtë, me Mbretërit Dijetarë. E gjithë kjo na kujton se Koha e Ardhjes është kohë  që na fton të vihemi për udhë, të shkojmë në takim me Zotin, e kjo do të thotë se  është kohë që  kërkon të mos na zënë këmbët dhe.

Lutje, bamirësi e lavdërim: kështu do ta takojmë Zotin

Ja pra, pse duhet të pyesim si mund ta takojmë Jezusin. Të pyesim: “Si duhet të sillemi, që të mund ta takojmë Zotin? Si - vijoi të pyesë Françesku - duhet ta përgatisim zemrën për ta takuar Zotin?

“Në lutjen e fillimit të Meshës, Liturgjia na kujton tri mënyra: vigjilentë në lutje, veprues në bamirësi, ngazëllues në lavdërim. E kjo do të thotë se duhet të lutemi me vigjilencë, duhet të jemi veprues në bamirësinë e krishterë – në dashurinë vëllazërore - jo vetëm të japim lëmoshë, jo, duhet edhe t’i durojmë njerëzit, që na bezdisin,  fëmijët, kur bëjnë potere, burrin a gruan kur ankohen me tepri, ose vjehrrën që…. Nuk e di se kë tjetër, por duhet toleruar, toleruar… Gjithnjë me dashuri të krishterë, me bamirësi vepruese. E pastaj është edhe gëzimi që buron nga zemra në çastin kur lavdërojmë Zotin: 'Hareplotë në gëzim'. Kështu duhet ta jetojmë këtë udhë, këtë dëshirë për ta takuar Zotin. Për ta takuar mirë! Nuk duhet të  rrimë shtang. E do ta takojmë Zotin.

Por atje - vërejti Papa - do të ndeshemi me një të papritur, sepse Ai është Zoti i të papriturave. Edhe Zoti ka thënë: mos rri shtang! Unë - pohoi Papa - jam për udhë për ta takuar e Ai është për udhë për të më takuar. E papritura e madhe është se Ai po më kërkonte, para se të isha nisur për ta kërkuar

Zoti na paraprin gjithnjë në takim 

Kjo - pohoi Papa - është e papritura e madhe e takimit me Zotin. Ai na kërkoi i pari. Ai është gjithnjë i pari, Ai vihet për udhë, që të na takojë. E kjo i ndodhi edhe Centurionit:

“Zoti shkon gjithnjë përtej, shkon i pari. Ne bëjmë një hap, e ai, dhjetë. E kjo është begatia e hirit të Tij, e dashurisë së Tij, e dhembshurisë së Atij, që nuk lodhet kurrë së na kërkuari. Nganjëherë edhe me gjëra të vogla; ne mendojmë se të takohesh me Zotin është ngjarje madhështore, si ajo që i ndodhi atij burrit të Sirisë, Naamanit, të gërbulurit: nuk është e thjeshtë ... Edhe ai pati një të papritur të madhe në mënyrën si u soll Zoti me të.  Sepse Zoti ynë është Zoti i të papriturave, Zot që na kërkon, që na pret, e kërkon nga ne vetëm një hap të vogël vullnetmirë".

Ne - vijoi Papa - duhet të kemi vetëm dëshirën për ta takuar. E pastaj na ndihmon ai vetë. Zoti, pohoi përsëri Ati i Shenjtë - do të na shoqërojë gjithë jetën tonë. Shumë herë - vijoi reflektimin - na shikon si largohemi prej Tij, e ai vijon të na presë, si e pati pritur ati i mëshirshëm, djalin  e vet plangprishës.

Fe nuk do të thotë ta njohësh me fund dogmatikën, por të takosh Jezusin

Shpesh herë - shtoi Françesku -  Zoti shikon se duam t’i afrohemi e Ai na del në takim. Është takimi me Zotin, kjo ka rëndësi. Takim. Mua – kujtoi Françesku - më prekin gjithnjë fjalët e Papës Benedikti, që na kujton se feja nuk është teori, nuk është filozofi e as ide; është takim. Takim me Jezusin. Përndryshe, nëse nuk e ke takuar mëshirën e Tij, mund ta thuash Besojmën përmendësh, por të mos kesh fe.

Doktorët e Ligjit dinin gjithçka, gjithçka nga dogmatika e asaj kohe, gjithçka nga morali i asaj kohe, gjithçka. Po fe nuk kishin. Zemra e tyre ishte larguar nga Zoti. Të largohesh ose të kesh dëshirë ta takosh! Ky është hiri që kërkojmë sot:

“O Zot, Ati ynë, na e ngjall dëshirën të shkojmë në takim me Krishtin tënd, me vepra të mira. Të shkojmë në takim me Jezusin. Prandaj e kujtojmë hirin, që kërkuam në lutje: me vigjilencë në lutje, me veprim në bamirësi e hareplotë në lavdërim. E kështu do ta takojmë Zotin, e kjo do të jetë për ne e papritura më e bukur!”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.