2016-11-26 17:10:00

Françesku shpreh dhimbjen për vdekjen e Fidel Kastros


Ngushëllimet e Papës për vdekjen e Fidel Kastros, që ndërroi jetë mbrëmë, në Kubë. Françesku e shpreh dhimbjen për këtë humbje, në një telegram drejtuar të vëllait, presidentit Raul Kastro, familjarëve dhe mbarë popullit të atij, që e quan “komb i dashur”.

Papa, sapo mori lajmin e trishtuar, u lut për pushimin në paqe të ish Kryetarit të Këshillit të Shtetit e të Qeverisë të Republikës së Kubës dhe ia besoi kubanët ndërmjetësimit të Pajtores së vendit, Zojës së dashurisë të Kobres.

Fidel Kastro ishte 90 vjeç. Në jetën e tij të gjatë e të ngarkuar me ngjarje, u takua me tre Papë. I fundmi, Françesku, që e takoi në shtegtimin e tij të 20 shtatorit 2015 kur, në selinë e Havanës, Fidel Kastro i dhuroi librin “Fideli e feja”, të Frei Betto.

“Revolucioni është njohje e çastit historik, është të pushtosh gjithçka duhet ndryshuar, është barazi e liri e plotë”. Kështu fliste Fidel Kastro për revolucionin, protagonist i të cilit qe në luftën për përmbysjen e diktatorit Fulgenzio Batista, së bashku me të vëllain, Raul, me Che Guevaran e Camilo Cienfuegos, revolucion, që ia ndryshoi fatin vendit të vet. Më 1939 Kastro ishte kryeministër i Kubës; më pas, Kryetar i Këshillit të Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave si dhe Sekretar i Parë i Partisë Komuniste, e vetmja parti në vend. Pas dështimit të zbarkimit të njëmijë e pesëqind  kubanëve, në plazhin Giron, në Gjirin e Derrave, më 1961, të mbështetur nga SHBA, me qëllim që të shembnin regjimin, Kastro themeloi Republikën e Kubës. E pikërisht në këtë kohë nisi të njihej me epitetin “Kryetrim”, i aftë për t’i bërë ballë embargos amerikane. Gjithsesi gjykimet mbi figurën e tij janë nga më të ndryshmet, shpesh krejt të kundërta: i akuzuar nga njëra palë për shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut, nga pala tjetër lavdërohet për pëmirësimin e kushteve të jetesës në Ishull. Në vitin 2008, pas 50 vjetësh, njoftoi se nuk do ta pranonte më zgjedhjen në presidencë, ndërsa më 2011 e dorëzoi përfundimisht pushtetin në dorën e të vëllait, Raul. Por reformat e ndryshme në Kubë  dhe normalizimi i marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare nisën që nga viti 2008.

Në këto rrethana ishte vendimtar roli diplomatik i Kishës Katolike, posaçërisht i veprimtarisë së Papës Françesku, që i çoi drejt normalizimit  marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit e Havanës. Tre, Papët që takoi Kastro. Gjashtë, takimet e Komandantit, në çaste të ndryshme, me Shën Gjon Palin II e Benediktin XVI. I paharrueshëm, takimi i 21 janarit të vitit 1998 në Havanë me Papën polak, sapo zbriti nga avioni. E jashtëzakonshme, pamja e dy burrave që, pasi shkëmbyen fjalët e para, shikuan orët, si të donin ta bënin të dukshëm për mbarë botën këtë çast, që do të quhej historik.

E menjëhershme, sfida e Papës Gjon Pali II:

“Que Cuba se abra con todas…

“Uroj që Kuba, me të gjitha mundësitë e saj të mëdha, t’ia hapë portat botës, e bota t’ia hapë Kubës!”.

Urim, që u realizua në kohë, i mbështetur edhe nga Benedikti XVI i cili, në mars të vitit 2012, pikërisht në Kubë, kujtoi “udhën e përbashkët për të gjithë kubanët”.

"La hora presente reclama de forma apremiante que en la convivencia humana…

"Koha e sotme kërkon urgjentisht që në bashkëjetesën njerëzore, kombëtare e ndërkombëtare, të zhduken qëndrimet e palëvizshme dhe këndvështrimet e njëanshme, të cilat priren ta bëjnë më të vështirë mirëkuptimin dhe të pafrytshme, përpjekjen e bashkëpunimit”.

Ishte Papa Françesku ai, që tri vjet më pas, në shtatorin e vitit 2015, duke parë marrëdhëniet e reja me SHBA-të, foli, në Ishullin e revolucionit, për “urat e vogla” që, njëra pas tjetrës, bëjnë “urën e madhe të paqes”.

"Desde hace varios meses, estamos siendo testigos...

Prej disa muajsh jemi dëshmitarë të një ngjarjeje, që na mbush me shpresë: procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve, pas viteve të gjata të largimit. Është proces, është shenjë e epërsisë së kulturës së takimit, të dialogut, të sistemit të vlerësimit universal, mbi sistemin, e vdekur përgjithmonë, të dinastisë e të grupit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.