2016-11-25 11:51:00

Papa: në rrezik harmonia shoqërore, nëse nuk dëgjohet populli


Jemi krijuar për të ndenjur me të tjerët, mundësia për t’i bërë keq vetes “nuk vjen nga takimi, por nga mbyllja në vetvete e nga refuzimi “i të sëmurëve, i emigrantëve, i të varfërve”. Kështu thekson Papa Françesku në videomesazhin për edicionin e gjashtë të Festivalit të Doktrinës shoqërore të Kishës, që vijon deri të dielën në Veronë, kushtuar temës: “Ndërmjet njerëzve”. Ati i Shenjtë shpjegon se vetëm duke ndjenjur me të tjerët mund të ndihmohen të fundmit, duke e kuptuar se e mira është më e fortë se e keqja.

Jemi bërë për të jetuar me të tjerët

Papa reflekton mbi mënyrën e qëndrimit me të tjerët, duke sqaruar se roli i secilit në shoqëri nuk mund të jetë i izoluar, por as i absolutizuar, sepse ne “jemi bërë për të ndenjur me njëri-tjetrin”:

“Kur populli ndahet nga ata që komandojnë, kur merren vendime vetëm për hir të pushtetit e jo në një mendje me popullin, kur ai që komandon është më i rëndësishëm se populli e vendimet merren nga pak vetë apo janë anonime, ose të diktuara nga emergjenca të vërteta ose jo, atëherë vihet në rrezik harmonia shoqërore, me pasoja të rënda për njerëzit: rritet varfëria, sulmohet paqja, komandon paraja dhe njerëzit vuajnë. Qëndrimi në mesin e njerëzve, pra, i bën mirë jo vetëm jetës së secilit, por është pasuri për të gjithë”.

I bëjmë keq vetvetes nëse zgjedhim izolimin e mbylljen

Secili prej nesh, kujton Papa Françesku, është pjesë e një populli. Jeta konkrete nuk është shuma e thjeshtë e jetëve individuale. Është bashkëpunimi i shumë njerëzve për të mirën e përbashkët ai, që përcakton jetën e shoqërisë. E kjo na ndihmon të kemi vizion të përbashkët:

“Është izolimi ai, që bën keq, jo bashkëpunimi. Izolimi shkakton frikë e mosbesim dhe na pengon t’i gëzohemi vëllazërimit. Duhet vërtet t’i themi njëri-tjetrit se rrezikohemi më shumë kur izolohemi se sa kur ia hapim zemrën të tjerëve: mundësia për t’i bërë keq vetvetes nuk vjen nga takimi, por nga mbyllja dhe refuzimi”.

Të kujdesemi për të varfërit, të sëmurët, emigrantët

Kur kujdesemi për të tjerët, si në rastin e një të sëmuri, një të moshuari, një emigranti, një të varfëri, një të papuni, e ndërlikojmë më pak jetën, se sa kur përqendrohemi vetëm mbi vetveten. Kjo do të thotë t’i lemë të tjerët të na takojnë, sepse edhe ne “kemi nevojë të na shohin, të na thërrasin, të na prekin, të na flasin”. Ka gjëra që vetëm të tjerët mund të na japin:

“Marrëdhëniet e kërkojnë këtë shkëmbim ndërmjet njerëzve: përvoja na thotë se nga të tjerët, zakonisht, më shumë marrim se sa japim. Ndërmjet njerëzve tanë ka një pasuri të vërtetë njerëzore. Janë të panumërta historitë e solidaritetit, të ndihmës, të mbështetjes, që përjetohen në familjet e në bashkësitë tona”.

E mira është më e fortë se e keqja

Të bën shumë përshtypje, vëren më pas Ati i Shenjtë, se si disa njerëz jetojnë me dinjitet mahnitës ngushticën ekonomike, dhimbjen, punën e rëndë, sprovën:

“Kur i takon këta njerëz, e prek me dorë madhështinë e tyre e gati shndritesh e të bëhet e qartë se mund të kemi shpresë për të ardhmen; mund të besojmë se e mira është më e fortë se e keqja, pikërisht për hatër të tyre”.

Të nisemi nga poshtë e të dëgjojmë të fundmit

Qëndrimi ndërmjet njerëzve, vëren Françesku, vë në dukje shumëllojshmërinë e ngjyrave, të kulturave, të racave e të feve, sepse kështu mund të shihet qartë pasuria dhe bukuria e larmisë:

“Vetëm me dhunë të jashtëzakonshme mund të reduktohet larmia në uniformitet, pluraliteti i mendimeve dhe i veprimeve në një mënyrë të vetme të menduari e të vepruari. Kur rrimë me njerëzit, e prekim humanitetin e tyre e atëherë, nuk përdorim vetëm trurin, por edhe zemrën, jemi më konkretë e më pak ideologjikë. Për të zgjidhur problemet e njerëzve duhet të nisemi nga poshtë, t’i ndyejmë duart, të kemi guxim, të dëgjojmë të fundmit”.

Të mësojmë nga faktet

E vetëm duke qëndruar me njerëzit, vijon Papa, mund të mësojmë nga faktet. Ati i Shenjtë tregon, në video, për vdekjen e një vajze 19-vjeçare. Në funeral shihej dhimbja e madhe, por jo dëshpërimi. Ndjehej një lloj “qetësie” tek të pranishmit, sidomos tek e ëma, e sigurtë se ajo “qetësi” i ishte dhënë nga Hiri i Tënzot:

“Jeta e përditshme përbëhet nga këto fakte, që e shënojnë ekzistencën tonë: ato nuk e humbin kurrë efektshmërinë, megjithëse nuk i gjejmë në titujt e gazetave. Ndodh pikërisht kështu: pa fjalime o shpjegime, kuptohet fare mirë çfarë vlen e çfarë nuk vlen në jetë”.

Shembulli i Virgjërës Mari

Së fundi, Papa Françesku i fton të gjithë të shohin shembullin e Zojës së Bekuar për të mësuar si të rrinë me të tjerët. Maria nuk është kurrë në qendër të skenës, por është gjithnjë e pranishme e falë Saj, mund të përshkojmë të gjitha shtigjet e humanitetit tonë, pa frikë e pa paragjykime.








All the contents on this site are copyrighted ©.