2016-11-24 14:19:00

Për Sinodin e Kishës më 2018 konsultohen besimtarët përmes pyetësorit


Për Sinodin e Kishës në vitin 2018 do të konsultohen edhe besimtarët përmes pyetësorit. Sekretaria e përgjithshme e Sinodit, gjatë Asamblesë sinodale kryesuar ditëve të kaluara nga Papa, ripohoi se do të vazhdojë rishikimi i rregullores së Ordo Synodi Episcoporum.

Kështu, edhe Asambleja e ardhshme XV sinodale mbi “Të rinjtë, feja e shqyrtimi i thirrjes shenjte”, caktuar nga Papa për vitin 2018, do të paraprihet nga këshillimi apo konsultimi i “popullit të Zotit” përmes një pyetësori që do t’i dërgohet besimtarëve të të gjitha dioqezave të botës, siç ka ndodhur për Sinodin e dyfishtë mbi familjen që u zhvillua më 2014 e 2015. Risia, e vendosur nga Papa Françesku, është konfirmuar nga Sekretaria e përgjithshme e Sinodit, e cila më 21 e 22 nëntor, zhvilloi mbledhjen e radhës “kryesuar nga Ati i Shenjtë Françesku”, gjatë së cilës, mes tjerash, u konfirmua se vazhdon rishikimi i rregullores së Ordo Synodi Episcoporum, me ndihmën e ekspertëve, në kuadrin e rishikimit të normave sinodale.

Në punimet e Asamblesë, është analizuar projekti i Dokumentit përgatitor për Asamblenë e XV të Përgjithshme të Rregullt, përpiluar nga Sekretaria e Përgjithshme me ndihmën e ekspertëve kompetent mbi temën sinodale: Të rinjtë, feja e shqyrtimi i thirrjes shenjte. Lidhur me këtë, Anëtarët e Këshillit e kanë vlerësuar projektin e dokumentit dhe kanë ofruar sugjerimet e tyre për ta përmirësuar e përshtatur, në saje të sfidave që Kisha ka sot në kontekste të ndryshme gjeografike e kulturore. Dokumenti, “që përfshin një pyetësor, i drejtohet Konferencave Episkopale, Sinodeve të Kishave Katolike Lindore sui iuris e Organizmave tjerë kishtarë, për t’u transmetuar pastaj të gjitha Dioqezave e institucioneve tjera kishtare.

Kujtojmë se  tema “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes” e Asamblesë XV të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve 2018,  është shprehje e përkujdesjes baritore të Kishës ndaj të rinjve dhe është vijimi i asaj, që doli nga Asambletë e fundit sinodale mbi familjen dhe, i temave të Nxitjes Apostolike post-sinodale ‘Amoris Laetitia’. Ajo synon t’i shoqërojë të rinjtë në rrugën e tyre të jetës drejt pjekurisë, në mënyrë që, përmes procesit të shqyrtimit e të shoshitjes, të mund të zbulojnë projektin e tyre të jetës e ta realizojnë me gëzim, duke ia hapur zemrën takimit me Zotin dhe me njerëzit e duke marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e Kishës e të shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.