2016-11-24 11:08:00

Papa Françesku: korrupsioni është blasfemi


“Korrupsioni është blasfemi”. Ky, qortimi i Papës Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar në kapelën e Shën Martës, në Vatikan. Për të korruptuarit “nuk ka Zot, por ekziston vetëm zoti para, zoti mirëqenie, zoti i shfrytëzimit”, denoncoi Ati i Shenjtë Bergoglio në homelinë e Meshës kremtuar në kapelën e rezidencës, në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, fjalë të botuara në Twitter edhe nga Osservatore Romano.

Papa Françesku kujton se në këtë javë të fundit  të Vitit liturgjik, Kisha na nxit të reflektojmë për fundin  tonë. Homelia e Françsekut u frymëzua nga Leximi i Zbulesës, i cili flet për tre zëra: i pari, ai i Engjëllit, që jep kushtrimin: “Ra Babilonia, qyteti i madh, ai, që mbillte korrupsion në zemrat e njerëzve e që i tërhiqte të gjithë pas vetes në rrugën e korrupsionit”. Korrupsioni është mënyrë jetese, mënyrë blasfeme e të jetuarit, korrupsioni është formë e blasfemisë - shpjegoi Françesku -  gjuha me të cilën flet kjo Babiloni, me këtë mendësi bote, është blafemia, nuk është Zoti: është zoti para, zoti mirëqenie, zoti shfrytëzim. Po kjo mendësi, që i josh kaq shumë të mëdhenjtë e tokës, do të bjerë:

 “Po, ky qytetërim do të shembet e kushtrimi i Engjëllit është britmë  fitoreje: ‘Ra, ra kjo, që gënjente me joshjet e saj. Perandoria e kotësisë, e fodullëkut, do të bjerë, si ra Shejtani, do të bjerë”.

Në ndryshim nga britma e Engjëllit, britmë fitoreje, ngadhënjimi, për rënien e këtij qytetërimi të korruptuar, është një zë tjetër i fuqishëm - nënvizon Françesku - britma e turmës, që i jep lavde Zotit: ‘Shëlbimi, lavdia e pushteti i përkasin Zotit tonë!”:

“Eshtë zëri i fuqishëm i adhurimit, adhurim i popullit të Zotit, që shpëtohet e edhe i popullit për udhë, që vijon të jetë mbi tokë. Popull mëkatar, por jo i korruptuar: mëkatar, që di të lypë falje, mëkatar, që kërkon shëlbimin e Jezu Krishtit”.

Ky popull galdon, kur shikon fundin, e gëzimi i fitores shndërrohet në adhurim. Nuk mund të mbetej vetëm me britmën e parë të Engjëllit, duhej edhe ky zë i fuqishëm i adhurimit të Zotit. Sepse nuk mund të mbetet vetëm me britmën e Engjëllit, nëse nuk është edhe ky zë i fuqishëm. Ndonëse të krishterët  nuk e kanë aq të lehtë të adhurojnë - vijoi Papa - Jemi të zotët kur lutemi për të kërkuar ndonjë gjë, por jo edhe aq, kur duhet të bëjmë lutjen e lavdërimit. Duhet të mësohemi për ta bërë që tani, sa s’është vonë, që të mos ta bëjmë, pastaj, me nxitim, kur të arrijmë atje – porositi Françesku - dhe vijoi të nënvizojë bukurinë e lutjes së adhurimit përpara Tabenakullit. Një lutje, që thotë vetëm “Ti je Zoti! Unë jam një bir i varfër. E di se Ti më do”.

Së fundi, zëri i tretë është një pëshpëritje. Engjëlli shkruan: “Lum të ftuarit në gostinë e dasmës së Qengjit!”. Ftesa e Zotit nuk është britmë, por zë i ëmbël, që ta kënaq shpirtin . Është ai zë, me të cilin i foli Elisë. Françesku nënvizon bukurinë e fjalës, që i flet zemrës me zë të ëmbël. Zëri i Zotit - kujton Papa - kur i flet zemrës, është kështu: si një fill heshtjeje tingëlluese. E kjo ftesë për dasmën e Qengjit, do të jetë fundi. Shpëtimi ynë - sqaroi Papa. - Në gosti, sipas shëmbëlltyrës së Jezusit, hyjnë ata, që janë në udhëkryq - të mirë e të këqij, të verbër e të çalë, me pëvujtëri të mjaftueshme për të thënë: “Jam mëkatar, por Zoti do të më shpëtojë”. E nëse e kemi këtë në zemër, ai do të na ftojë - siguroi Papa - e do ta dëgjojmë atë zë fëshfëritës, që na grish në gosti:

“E Ungjilli përfundon me këtë zë: ‘Kur të nisin të ndodhin këto sende - domethënë, rënia e mburrjes, e kotësisë, e gjithë kjo, ngushëllojuni e ngrejeni lart kokën, çlirimi juaj është fare pranë. Domethënë po të ftojnë në gostinë e Qengjit. Zoti na e dhëntë hirin ta presim këtë zë. Të përgatitemi për ta dëgjuar këtë zë: ‘Eja, eja, eja shërbëtor besnik – mëkatar, por besnik – eja, eja në gostinë e Zotit tënd”.  

 








All the contents on this site are copyrighted ©.