2016-11-24 00:00:00

Lutje Nënë Terezës


-Lutje Nënë Terezës-
Terezë, ti Nëna e të varfërve!
Nëse shoqëria e mirëqenies të shtyn
ta duash e ta shumosh veç pasurinë
edhe kënaqësitë që vijnë prej saj,
Ti e shtove dhe e shumove dashurinë për të varfërit në botë.
E i kujtove njerëzimit se gëzimi nuk blihet me para.
Nuk blihet, fitohet, kur merr - e - jep dashuri!

Terezë, ti Nëna e të mjerëve!
Çapi yt i lehtë përshkoi skutat e skajet e dheut,
ku dergjeshin, e dergjen, të pafatët.
Çap i heshtur, i pandjeshëm
i këmbëve me sandalet grisur nga udha e gjatë;
po prap se prap ata e ndjenë e u bezdisën,
ata që kanë, por s’ngopen kurrë me para e vetëdashje
e të varfrit i shikojnë nga majat e vetvetes,
poshtë, në skëterrën mjerimit!

Uji i Darkës së Mbrame kaloi nëpër duart tua
që lanë këmbë të grira nga gërbula
pa ditur ç’është lodhja,
për t’u treguar të gjithëve
rrugën e madhështisë së vërtetë.
Kështu mbete në zemër të Zotit e të njerëzve
që ecën, që ecin me çapin tënd!

Nënë Tereza e Krishtit!
Ti e dëgjove britmën e Jezusit,
në britmën e të uriturit në të katër anët e botës,
E Korpin e Krishtit mjekove
në korpin e të gërbulurit.
Lutu për ne, Shën Terezë,
që të meritojmë hirin e madh të përvujtërisë e të dëlirësisë
Si Maria,
për ta pranuar në zemrat tona,
Dashurinë që të bën vërtet të lum!
Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.