2016-11-24 00:00:00

Katër meditimet e atë Cantamessa-s në Vatikan, gjatë Kohës së Ardhjes


 “Ta shijojmë, pa u dehur, pijen e Shpirtit Shenjt”: kjo është tema e katër meditimeve, që do t’i mbajë predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Cantalamessa, në praninë e Françeskut, të premteve të Kohës së Ardhjes: më 2, 9, 16 e 23 dhjetor. Predikimet do të mbahen, si zakonisht, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Njoftimin jep gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”.

Në reflektimin teologjik - nënvizon atë Cantalamessa - po afirmohet gjithnjë më shumë ajo, që quhet “teologjia e Vetjes së tretë të Besojmës, duke nënkuptuar me këtë, Vetjen e Shpirtit Shenjt. Është fjala për një  rrymë, që nuk e ka në mendje të zëvendësojë teologjinë tradicionale, përkundrazi, ta përkrahë e ta gjallërojë, duke propozuar ta bëjë Shpirtin Shenjt jo vetëm objekt  të trajtimit, që i takon, por edhe të atmosferës, në të cilën zhvillohet gjithë jeta e Kishës dhe çdo kërkim teologjik.

Në këtë vijë, vëren rregulltari kapuçin, meditimet e Kohës së Ardhjes propozojnë reflektimin mbi Shpirtin Shenjt, si risia teologjike e shpirtërore më e rëndësishme e pas-Koncilit II të Vatikanit e edhe si burimi më kryesor i shpresës për Kishën.

Për të marrë pjesë në katër predikimet, që do të fillojnë në orën 9.00, në praninë e Papës, ftohen kardinajtë, kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë, sekretarët e kongregatave, prelatët e Kuries Romake dhe të Vikariatit të Romës, eprorët e përgjithshëm dhe prokurorët e urdhërave rregulltare, që bëjnë pjesë në Kapelën Papnore.   








All the contents on this site are copyrighted ©.