2016-11-23 13:41:00

Papa: është mirë të pyesësh, dyshimet janë pozitive nëse të bëjnë të rritesh në fe


Një duartrokitje në nder të të krishterëve, që dhanë jetën për shkollimin e fëmijëve dhe të të rinjve. E kërkoi Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme,  mbajtur në Sallën e Palit VI. Edhe pas përfundimit të Jubileut, Françesku  vijoi katekizmin kushtuar veprave të mëshirës sepse, shpjegoi, mbeten edhe disa reflektime për t’u bërë. Dy prej tyre ishin në qendër të vëmendjes në katekizmin e sotëm: të këshillosh dyshimtarët e të mësosh të paditurit.

Dy vepra mëshire, që lidhen ngushtë ndërmjet tyre e që u përkasin të gjithëve. Mund të jetohen në familje e në plan institucional të organizuar. Françesku, pra, vijoi sot katekizmin kushtuar veprave të mëshirës, temë tejet e dashur për Atin e Shenjtë.

Papa kërkoi një duartrokitje kushtuar të krishterëve, që dhanë jetën për shkollimin e fëmijëve

Shën Gjon Bosko, Shën Justini në shekullin II, Shën Jozef Kalasanci: këta, shenjtorët që Papa i paraqiti si shembull të krishterësh, që u angazhuan në shekuj në fushën e mësimdhënies. Të mësosh injorantët, ka kuptimin “ata që nuk dinë”, por që mund të mësojnë. Nuk është aspak fjalë fyese. Prandaj Kisha, në rrjedhë shekujsh e ndjeu fort nevojën e angazhimit në fushën e arsimit, sepse misioni i saj ungjillëzues përfshin edhe angazhimin për t’ua rikthyer dinjitetin të varfërve: “Sa të krishterë, laikë, vëllezër e motra rregulltarë e edhe priftërinj, dhanë jetën për arsimimin dhe edukimin e fëmijëve e të të rinjve. Punë tejet e madhe kjo! E unë ju ftoj ta nderoni kujtimin e tyre me një duatrokitje të fuqishme!”.

Angazhim me pak mjete, por në gjendje t’ia ndërrojë faqen shoqërisë. Shembulli i parë është ai i Shën Justinit i cili, në shekullin II, themeloi një nga shkollat e para për të krishterët, që të mund ta njihnin më mirë Shkrimin Shenjt. E, më pas, Shën Jozef Kalasanci që, ndërmjet viteve 1500 e 1600, hapi shkollat e para popullore evropiane falas, e akoma, Shën Gjon Bosko, që i përgatiste të rinjtë për punë: “Të mendojmë për dom Boskon, Shën Gjon Boskon (duartrokitje të fuqishme në sallë) .. Janë salezianët, eh? Të mendojmë për Gjon Boskon që, me fëmijët e rrugëve, me oratorin e pastaj me shkollat, me zyrat, i përgatiste të rinjtë e varfër për punë.... E hapi, kështu, shkolla të shumta e të ndryshme profesionale, që të aftësonin për punë, pa harruar edukimin me vlerat njerëzore e kristiane. Shkollimi është me të vërtetë një formë e veçantë e ungjillëzimit”.

Është padrejtësi të ketë fëmijë analfabetë

Mungesa e shkollimit e cenon dinjitetin e njeriut dhe e lehtëson mundësinë që të bjerë pre e shfrytëzimit: “Të mendojmë, për shembull, për fëmijët që vuajnë akoma nga analfabetizmi: nuk mund të kuptohet sesi, në një botë ku përparimi teknik e shkencor ka arritur në lartësi të papara, të ketë edhe fëmijë analfabetë. Nuk mund të kuptohet kjo! Është padrejtësi”.

Arsimi i mirë të mëson metodën kritike, duke përfshirë edhe një farë dyshimi, që është i nevojshëm për të vërtetuar rezultatet e arritura.

Dyshimet e fesë, në kuptimin pozitiv, të shtyjnë ta njohësh më thellë Zotin

Vepra e mëshirës e këshillimit të dyshimtarëve nuk ka të bëjë me këtë tip dyshimi - sqaroi Françesku - por lidhet me lehtësimin e dhimbjes së lindur nga frika e ankthi, pasoja të dyshimit. Por Françesku u ndal edhe tek dyshimet, që kanë të bëjnë me fenë, në kuptimin pozitiv, sepse të nxisin ta njohësh më thellësisht Zotin: “Mendoj se ndokush edhe mund të më pyesë: ‘Atë, po unë kam shumë dyshime për fenë, ç’duhet të bëj? Ju, nuk keni kurrë dyshime?’. Eh, kam, e shumë madje. Kam shumë.... Natyrisht që në raste të ndryshme, të gjithëve u lindin dyshime. E dyshimet, që kanë të bëjnë me fenë në kuptimin pozitiv, janë shenjë që tregon se duam ta njohim më mirë e më thellë Zotin, Jezusin e misterin e dashurisë së Tij për ne”.

Janë dyshime që të bëjnë të fitosh pjekurinë. Prandaj është gjë e mirë të bëjmë pyetje mbi fenë tonë - tha Papa - sepse kjo tregon prirjen për t’u thelluar në të. Pa harruar se dyshimet duhen kapërcyer.

Dy udhët për t’i kapëcyer dyshimet: katekzimi me kumtimin e dashurisë së Zotit dhe të jetuarit e fesë, duke ndihmuar nevojtarët

Françesku tregoi dy udhë, që mund të na ndihmojnë në këtë drejtim: katekizmin dhe të jetuarit konkret të fesë, duke e praktikuar ndërmjet nevojtarëve. Atëhere shumë dyshime zhduken sepse, nënvizoi Ati i Shenjtë, e ndjejmë  vërtetësinë e Ungjillit në dashurinë, që e ndajmë bashkë me të tjerët. E siguria më e madhe për t’i davaritur dyshimet, është dashuria e Zotit, me të cilën na deshi ai i Lumi. Dashuri pa asnjë shpërblim e përgjithmonë: “Po, Zoti nuk bën kurrë hapa mbrapa në dashurinë e Tij, kurrë! Shkon gjithnjë përpara, mbetet aty... na u dha përgjithmonë e jetës, kjo dashuri, përgjegjësinë ndaj së cilës duhet ta ndjejmë fort, për të qenë dëshmitarë, duke ua ofruar mëshirën edhe vëllezërve tanë”.

Në përshëndetjet e zakonshme drejtuar shtegtarëve, Papa falënderoi shumë nga delegacionet e pranishme, për të përfunduar duke rikujtuar mbylljen e Vitit Shenjt, të dielën e kaluar.

Të dielën e kaluar e mbyllëm Jubileun e jashtëzakonshëm, kujtoi. U mbyll Jubileu, por jo zemra përdëllyese e Zotit për ne mëkatarët, zemër që vijon të na përmbytë me hire - vërejti Papa Bergoglio - duke u drejtuar gjithë besimtarëve ftesën: “Të mos i mbyllim kurrë zemrat e të mos pushojmë së bëri vepra mëshire, trupore e shpirtërore... Uroj që përvoja e dashurisë dhe e faljes së Zotit, të cilën e jetuam gjatë këtij Viti Shenjt, të mbeten në shpirtin tonë si frymëzim për të vijuar bamirësinë, për t’u bërë gjithnjë mirë vëllezërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.