2016-11-23 13:18:00

Me 23 nëntor kalendari kujton Papën shën Klementi I romak e martir


Më 23 nëntor Kisha përkujton Shën Klementin I Romak, martir, pasardhës i katërt i Shën Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin e martirit. Klementi I, Papë e martir romak, është ndër Etërit e mëdhenj të Kishës. Për Papën Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej tyre mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua e vendin e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati i Romës iu besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar, pas Shën Pjetrit.

Klementi I Papë kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve që u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.

Në Letrën e tij drejtuar korintianëve, Shën Klementi I, Papë na ofron një dokument që përmban një reflektim ndriçues mbi identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve. Nën Papën Klementin I Romak, me që bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë nga përçarjet, Kisha e Romës i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit të Kishës e të misionit të saj.

Dokumenti i nxiste besimtarët të ishin të përvujtë e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje në Letër ndeshim për herë të parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë e krishterë do të thotë ‘anëtar i popullit të Zotit’. Në këtë letër Shën Klementi shpjegon se në Kishë të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme, janë gjymtyrë të njëri-tjetrit. Po mos të harrojmë se “dallimi ndërmjet laikut e hierarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjesht lidhje organike e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme.

Kisha nuk është vend pështjellimesh e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirëorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007). Para së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekjen për t’i pajtuar – është kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky kumtim e mbush me gëzim jetën tonë e i jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij e mirësia e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona.

Por ne duhet të angazhohemi e të punojmë në mënyrë koherente me dhuratën, që kemi marrë e t’i përgjigjemi kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e pendimit, shkruan Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit.

Klementi shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike, duke nënvizuar se normat që e rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga vullneti i Zotit – shkruan Shën Klementi. E këtu theksohet me forcë se Kisha ka strukturë sakramentore e jo strukturë politike: “Kisha mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit e jo krijesë e jona, prandaj kjo strukturë sakramentore nuk garanton vetëm rendin e zakonshëm, por edhe përparësinë e dhuratës së Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007).

E Klementi I papë e përfundon Letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve të Besëlidhjes së Re – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit të të krishterëve. Na kujton sërish, kështu, se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë, ashtu siç bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të krishterëve ndaj politikës e shtetit: “Duke u lutur për autoritetet, Klementi njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e përdëllim (61,2).

Qesari nuk është gjithçka. Mbi të lartohet një sovranitet tjetër, zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të kësaj bote, por të botës qiellore: është kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga shteti të drejtën të dëgjohet”. ” (Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007).

Ende sot Bazilika e Shën Klementit I romak, papë e martir është një nga vendet më të vizituara në Romë. E ngritur në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e rindërtuar disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket e Shën Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Qirilli e Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar nga Nerva, me një spirancë të varur në qafë. Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen akoma afresket e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane.

Klementi njihet si një shenjt në shumë Kisha të krishtera. Festa e tij përkujtohet më 23 nëntor, në Kishën Romake Katolike, në Bashkësinë Anglikane, dhe në Kishën Luteriane. Kurse Kisha Ortodokse Lindore përkujton më 24 ose 25 nëntor.








All the contents on this site are copyrighted ©.