2016-11-22 14:21:00

Papa: vdekja nuk frikëson nëse i qëndrojmë besnikë Zotit


“Besnikëria ndaj Zotit nuk zhgënjen”: edhe në çastin e vdekjes e të Gjykimit të Mbramë, nëse i kemi qëndruar besnikë, nuk do të kemi frikë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se nuk duhet të jetojmë, sikur nuk do të vdesim kurrë, duke i ftuar të gjithë të mendojnë për gjurmën, që lënë në jetë.

Të mendojmë për gjurmën që lemë në jetë

Zoti na thërret të mendojmë seriozisht për fundin e secilit prej nesh, pikërisht ndërsa Kisha përjeton javën e fundit të Vitit Liturgjik e përgatitet për Kohën e Ardhjes. Nuk na pëlqen të mendojmë për këto gjëra, theksoi Papa Françesku, por këtu qëndron e vërteta. Pasi të ndërrojmë jetë, do të kalojnë vitet e ndoshta, do të harrohemi, nëse nuk kemi lënë një gjurmë të rëndësishme. Edhe për këtë, siç tregon Libri i Zbulesës i Shën Gjonit, Zoti do ta gjykojë secilin prej nesh:

 “E do të na bëjë të mendojmë: ‘Po si do të jetë ajo ditë, në të cilën unë do të jem para Jezusit? Kur ai do të më pyesë për talentet që më ka dhënë, ç’kam bërë me to; kur Ai do të më pyesë si e kam pasur zemrën, kur në të ka rënë fara hyjnore, mikpritëse apo plot gjemba: kini parasysh shembëlltyrat për Mbretërinë e Zotit. Si e prita Fjalën? Me zemër të hapur? A e lashë të mbijë për të mirën e të gjithëve apo e fsheha?”

Të gjithë do të gjykohemi: jo mënjanimit

 Secili prej nesh do të jetë para Jezusit në ditën e Gjykimit, theksoi Papa, duke përmendur fjalët e Ungjillit sipas Lukës, “mos lejoni t’ju gënjejnë”. E foli për “izolimin”, “mënjanimin”, për mashtrimin që vjen nga gjërat sipërfaqësore, kur nuk e lëmë të hyjë transhendencën në jetën tonë e jetojmë sikur nuk do të vdesim kurrë. Kur Zoti të vijë, pyeti Ati i Shenjtë, si do të më gjejë: duke e pritur, apo duke u sorollatur ndërmjet gjërave pa rëndësi?

“Unë kujtoj se kur shkoja në katekizëm, si fëmijë, na mësonin katër gjëra: vdekjen, gjykimin, ferrin dhe lavdinë e Hyjit. Pas gjykimit ekziston kjo mundësi. ‘Por, o atë, kjo është për të na frikësuar…’. ‘Jo, është e vërteta! Sepse nëse ti nuk kujdesesh për zemrën, që Zoti të jetë me ty e, nëse jeton larg Zotit gjithmonë, ndoshta, ka rrezik të vazhdosh kështu, të jesh larg Zotit për amshim’. Është shumë e keqe kjo!”

Nuk do të kemi frikë nga vdekja nëse do t’i qëndrojmë besnikë Zotit

 E së fundi, duke shpjeguar ç’duhet bërë për ta larguar frikën e vdekjes, Papa citoi sërish leximin e sotëm nga Zbulesa e Gjonit e përmendi këshillën e apostullit: “Qëndro besnik deri në vdekje – thotë Zoti – e do të të jap kurorën e jetës”:

“Besnikëria ndaj Zotit: e kjo nuk të zhgënjen. Nëse secili prej nesh është besnik para Zotit, kur të vijë vdekja, do t’i themi si Shën Françesku: ‘motër vdekje, eja’… Nuk na frikëson. E kur të vijë dita e Gjyqit të Mbramë, do ta shohim Zotin në sy: ‘O Zot, kam shumë mëkate, por jam përpjekur të jem besnik’. E Hyji është i mirë. E na lë këtë këshillë: ‘Qëndro besnik deri në vdekje – thotë Zoti – e do të të jap kurorën e jetës’. Me këtë besnikëri nuk do të kemi frikë nga fundi, nuk do të kemi frikë nga dita e Gjyqit të Mbramë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.