2016-11-21 16:50:00

Dioqeza Sapës: Udhës së Mëshirës njeriu bashkohet me Zotin


Në dioqezën e Sapës, Porta shenjte e Mëshirës është mbyllur të shtunën e kaluar, natën e festës së Krishtit Mbret, me kremtimin e Meshës solemne në Kishën Katedrale Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, por parfumi i butë i bekimeve Hyjnore të këtij viti jubilar do të mbetët thellë në zemrat e mijëra e mijëra besimtarëve të kësaj Kishe dioqezane. Po kështu, porta e gjera e të mëshirshme të takimit me Zotin dhe njëri-tjetrit do të mbesim të hapura, urojmë, tërë jetën. Po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit........

MËSHIRA ËSHTË RRUGA QË BASHKON ZOTIN ME NJERIUN. Mbyllja e vitit të Mëshirës në Sapë

Të shtunën e kaluar, natën e festës së Krishtit Mbret, kleri dioqezan i Sapës dhe mbarë besimtarët e kësaj dioqeze u bashkuan në Kishën Katedrale Shën Tereza e Kalkutës, në Vau-Dejës, për të kremtuar mbylljen e vitit Jubilar të Mëshirës, shpallur nga Papa Françesku, që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar. Ky rit i cili është kryer në të gjitha katedralet apo kishat e botës të shpallura si porta të mëshirës, edhe në portën e mëshirës së Sapës, u mbajt me celebrimin solemn dhe eukaristik të udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli, i cili, që në fillim të këtij kremtimi iu falenderua Zotit, Atit të Mëshirës që gjatë këtij viti i dhuroi gjithë njerëzimit mundësinë që ta sodisë fytyrën e tij të Mëshirshme.

“Mëshira është rruga që bashkon Zotin me njeriun”, kështu e titullonte letrën e tij baritore drejtuar dioqezës, ipeshkvi ynë i dashur, Imzot Lucjani. E pikërisht mbi këtë letër, dom Simoni kërkoj të kthente në memorien e të gjithëve porosinë e ipeshkvit, i cili dëshironte të nxiste besimtarët e vet ta sodisnin misterin e mëshirës, si burim gëzimi, qetësie, paqeje dhe kusht i domosdoshëm për Shëlbim. Misteri i mëshirës është rruga që bashkon Zotin me njeriun thoshte ai, pasi ia hap zemrën shpresës se jemi gjithmonë të dashur pa marrë parasysh kufizimet, dobësitë dhe mëkatet tona.

Dom Simoni foli edhe mbi rrugëtimin shpirtëror që është jetuar gjatë këtij jubileu. E disa prej nismave që Zoti na ndihmoi ti përjetojmë, ishin: Ripërtëritja shpirtërore dhe ndarja e sakramentit të Rrëfimit, shoqëruar përmes Ndjesës së Plotë; Katekeza, në çdo famulli ku vëmendje e veçantë u është kushtuar temave të mëshirës, faljes, pajtimit dhe dashurisë vëllazërore.

Falja dhe pajtimi i familjeve në konflikt që e kemi përjetuar me datën 2 prill në Dragushë, në Kishën kushtuar Mëshirës Hyjnore e shumë e shumë kremtime të tjera. Kremtimi eukaristik vazhdoi me lutjet e përshtatshme drejtuar Hyjit të Gjithëpushtetshëm, duke i kënduar mëshirës së tij që përhapet nga breznia në brezni.








All the contents on this site are copyrighted ©.