2016-11-20 14:31:00

Papa: mbyllet Porta Shenjte por mbetet e hapur në dy kanatat, Porta e Mëshirës


Në solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Universit, përfundoi Viti Shenjt i jashtëzakonshëm i mëshirës, shpallur nga Papa më 8 dhjetorin e kaluar. Françesku e mbyll Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, e fundmja që kishte mbetur ende hapur në mbarë botën, por, në homeli i fton besimtarët të mos ia ndajnë sytë fytyrës së vërtetë të Mbretit tonë e të ndërtojnë një Kishë mikpritëse, të lirë, misionare, të varfër në mjete e të pasur në dashuri.

Mirënjohës për dhuratat e hirit, që morëm, e plot me guxim për të dëshmuar, në fjalë e vepra, dhembshurinë e dashurisë tënde përdëllyese, e mbyllim Portën Shenjte; Shpirti Shenjtërues e përtëriftë shpresën tonë në Krishtin Shëlbues, portë gjithnjë e hapur për kë të kërkon me zemër të sinqertë, e vetmja portë, e cila çon në Mbretërinë, që vjen”.

Është çasti më i pritur solemn i kremtimit të sotëm: Papa arrin me procesion në tremen e Bazilikës, thotë lutjen e pastaj, me çap të ngadalshëm, i afrohet Portës Shenjte... I rrethuar nga një heshtje e thellë, e thyer vetëm nga flash-et e fotografëve, i mbyll njërën pas tjetrës kanatat e rënda. Drejtohet, pastaj, kah elteri i tremes, që vezullon nga piklat e shiut,  të lëna aty nga nata, pasuar nga një mëgjes i larë me diell.

Është figura e Krishtit Mbret, ajo që sundon në homelinë e Papës. E shikojmë - kujton Françesku - pa pushtet e pa lavdi: është i kryqëzuar mbi kryq, ku duket më shumë i mundur, sesa fitimtar:

“Pushteti i tij mbretëror është paradoksal: froni i Tij është kryqi, kurora është e thurur me ferra; nuk ka skeptër; në vend të tij, i vunë në dorë një kallam; nuk është i veshur me salltanet e edhe mantelin nuk e ka më, ia kanë hequr; nuk ka unaza vezulluese në gishtrinjtë e duarve, shporuar nga gozhdat; nuk ka  thesar, e shitet për tridhjetë aspra”.

Krishti u përul deri tek ne, provoi mjerimin tonë njerëzor - vijon Papa - u shty deri në fund të kufijve të universit, për t’i përqafuar e për t’i shpëtuar  gjithë të gjallët: “Nuk na dënoi, e as nuk na pushtoi, nuk deshi ta dhunonte kurrë lirinë tonë, ndaj u bë udhë, me dashuri të përvuajtur, që fal gjithçka, gjithçka shpreson, duron gjithçka...Vetëm kjo dashuri ngadhënjeu e vijon të ngadhënjejë mbi kundërshtarët tanë, mbi mëkatin, vdekjen, frikën”.

Me gëzim – vijon Françesku - e pranojmë sundimin e Tij të dashurisë, por do të ishte ende pak për të besuar se Krishti është Mbret i universit dhe qendër e historisë, nëse nuk e bëjmë edhe Zotëri të jetës sonë e nuk e pranojmë edhe mënyrën e sundimit të Tij. Papa kujton, në vijim, tri figura të Ungjillit të sotëm: popullin, grupin pranë kryqit e keqbërësin pranë Jezusit.

Për popullin, Ungjilli thotë se rrinte e bënte sehir, se asnjë nuk fliste e asnjë nuk afrohej:

Përballë rrethanave të jetës a shpresave tona të parealizuara, edhe ne mund të tundohemi për t’u distancuar nga Pushteti mbretëror i Jezusit, mund të mos e pranojmë deri në fund të fundit shkandullin e dashurisë së Tij të përvuajtur, që e trazon unin tonë, ia prish rehatin”.

Në grupin pranë kryqit janë krerët e popullit, ushtarët e njëri nga dy hajdutët: të gjithë e tallin Jezusin, të gjithë e provokojnë: shpëto vetveten! - i bërtasin. Është tundimi më i tmerrshëm - pohon Papa - ai që të nxit të zbresësh nga kryqi e ta tregosh pushtetin dhe epërsinë tënde. Po Jezusi nuk kundërshton, Jezusi vijon të dojë. Atij duhet t’ia ngulim sytë tanë:

Forca tërheqëse e pushtetit dhe e suksesit u duk rrugë e lehtë për përhapjen e Ungjillit; tepër shpejt u harrua si vepron Mbretëria e Zotit. Ky Vit i Mëshirës na ftoi ta rizbulojmë qendrën, të rikthehemi tek themelorja. Kjo kohë mëshire na bën thirrje të shikojmë në fytyrën e vërtetë të Mbretit tonë, në atë, që shndriti  në Pashkë, e ta rizbulojmë edhe fytyrën e re e të bukur të Kishës, që shndrit kur është mikpritëse, e lirë, besnike, e varfër në mjete, e pasur në dashuri, Kishë misionare”.

Së fundi, figura e keqbërësit, e hajdutit, që i lutet Jezusit; “Kujtoju për mua, kur të hysh në mbretërinë tënde!”. Ai besoi, e Zoti e mbajti premtimin: “Sot do të jesh me mua në Parriz”. Zoti, sapo ia japim mundësinë, kujtohet për ne. Është gati ta shlyejë plotësisht e përgjithmonë mëkatin tonë, sepse kujtesa e Tij nuk e regjistron të keqen e bërë,  e nuk vijon të kërkojë llogari për prapësitë e pësuara, ashtu si e jona. Zoti nuk e kujton mëkatin, na kujton ne, secilin prej nesh, kujton bijtë e tij të dashur. E beson se është e mundur, gjithnjë, të rifillosh, të ngrihesh përsëri në këmbë.

E ashtu si Zoti beson në ne, ashtu edhe ne jemi të thirrur të ngjallim shpresa, t’u japim mundësi të tjerëve, të jemi mjete të mëshirës. Ta vijojmë këtë udhë, së bashku - fton Papa - e në përfundim lutet:

“Na shoqëroftë Zoja,  edhe Ajo ishte pranë kryqit”.

E pikërisht për të vijuar ta jetojmë mëshirën, Papa Françesku deshi t’i drejtojë mbarë Kishës Letrën e tij Apostolike “Misericordia et misera” (Dhembshuri e Mëshirë), që do t’i paraqitet nesër shtypit. Në përfundim të kremtimit, Papa nënshkruan Letrën e ia dorëzon, ndërmjet tjerëve, kardinalit Tagle, kryeipeshkëv i Manilës, një nga metropolet më të mëdha të botës, e pastaj edhe disa meshtarëve, motrave, një çifti të ri e dy të sëmurëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.