2016-11-19 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 34-të gajte vitit, festës së Krishti Mbret ‘C’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 34-të gjatë e të fundit gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjik, të dielës të cilën, Kisha ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.

Programin radiofonik mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të solemnitetit të Krishtit Mbret, mund ta dëgjoni edhe këtu..

Kjo festë liturgjike e re (siç dihet është themeluar nga Papa Piu XI më 1925) e mbyll vitin kishtar me një vizion madhështor të harmonisë e të paqes. Një harmoni që nuk është  realizuar përmes planeve të superfuqive apo të ekuilibrave të terrorit, por përmes dashurisë. Në qendër të skenës, kemi Krishtin mbi kryq, që Luka ungjilltar e vendos, si aktin e mbramë të mbretërisë së tij tokësore, e si gjestin e parë të Mbretërisë së tij të lavdishme hyjnore, që ofron falje e shpëtim.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele pra, na fton të meditojmë mbi figurën e Krishtit si qendër kyçe të historisë sonë njerëzore, si qendër të ngjarjeve tona personale dhe të mbarë gjithësisë.  Kremtimi i solemnitetit të kësaj së diele, atëherë le te bëhet, një këngë shprese dhe besimi. Ne jeten e perditshme, ta kërkojmë e gjemë përsëri në Krishtin Mbret e Qendër të jetës, dritën e shpirtit, kuptimin e ekzistencës sonë, të gjejmë sërish paqen. Në pritje të dëgjimit të atyre fjalëve vendimtare: “Sot do të jesh me mua në parajsë”.       

            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Sam 5, 1-3
Davidi ka fituar famë si luftëtar i pathyeshëm. Fiset e veriut duan një kryetar që i mbron dhe i kërkojnë Davidit nëse do të jetë mbreti i tyre. Ai pranon, por nuk ka asgjë fetare në këto ngjarje. Megjithatë Hyji nëpërmjet lojës së ngjarjeve politike, përgatit ardhjen e Mesisë.

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit
Në ato ditë, erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt. Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit.
Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.” Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. Fjala e Zotit.
 
Psalmi 122
Ku është Zoti, aty mbretëron paqja

----- ----- -----
Sa u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
----- ----- -----
O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një copë të vetme je!
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael,
për të kremtuar Emrin e Zotit.
----- ----- -----
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!”
----- ----- -----
 
Leximi i dytë Kol 1, 12-20
Kolosianët imagjinonin se energjia hyjnore përhapej nga Hyji tek engjëjt, njerëzit, lënda dhe mendonin të vendosnin Krishtin në këtë shkallë hierarkike. Pali kundërshton dhe dënon këtë konceptim mbi krishterimin. Edhe sot rikthehet tundimi për të futur Krishtin në një filozofi njerëzore, të ndërtuar jashtë Ungjillit. Krishti vendoset në një nivel tjetër: Ai është i parëlinduri i njerëzimit dhe e shpëton prej vdekjes.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, ta falënderojmë Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë. Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin, faljen e mëkateve.
Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit.
 
ALELUJA, aleluja.
Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!
Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.
Aleluja.
 
Ungjilli Lk 23, 35-43
Mundimet e Krishtit te Luka janë përshkruar me optimizëm. Ndërsa kryetarët e popullit shprehin urrejtje dhe ironi, populli qëndron i pa gojë duke e kundruar. Është shumë domethënës dialogu i Jezusit me dy hajdutët: Krishti, megjithë mundjen, madje nëpërmjet saj, triumfon mbi të keqen dhe dhuron mëshirën e tij, duke u bërë kështu Zot i qiellit dhe i tokës, burim i shpëtimit për të gjithë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, populli rrinte aty e po kundronte. Anëtarët e Këshillit të Lartë e përqeshnin duke thënë: “Tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit, i zgjedhuri!” Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”
Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky – ky s’bëri asnjë të keqe!”
Dhe tha: “Të bie ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.