2016-11-19 14:37:00

Kardinajtë shqiptarë


Gjatë dymijë vjetëve krishterim, jetuar gjithnjë në rrethana dramatike, Kisha në  trojet shqiptare ka kardinalin e vet të dytë, Hirësinë e Tij Ernest Simoni.

Me krijimin e tij, kujtohet natyrisht, edhe emri i kardinalit të parë, Mikel Koliqi e, hamendësohet përsëri, se edhe para tij qe krijuar një kardinal tjetër,  në kushte të rënda historike për mbarë krishterimin. Bëhet fjalë për Pal Engjëllin, krahun e djathtë të Skënderbeut, Atletit të Krishtit, nën drejtimin e të cilit gjokset shqiptare u bënë mburojë e qytetërimit evropian.

Kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, si i thonë sot, Ejlli, si quhej asokohe, i ndamë në shenjë për autoritet, madhështi e gojtari, u bë shumë i njohur si delegat i Papës dhe i Republikës së Venedikut (1463), nësa përcillte Skënderbeun në Pulie e në Romë. Gjë që luajti një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë Apostolike gjatë papnisë së Nikollës V (1447-1453); Kalistit III (1453-1458), Piut II (1458-1464). I doli zot Skënderbeut edhe pranë Republikës së Përshndritshme. Kur Papa Piu II shkoi në Ankonë për organizimin e një kryqëzate të re, pritej të ndalohej edhe në Shqipëri për të kurorëzuar Skënderbeun mbret e për ta pranuar Pal Ejëllin në Kolegjin e Kardinajve. Duke krijuar, kështu, në trojet e shqiptarëve, një seli kardinalore, që do të vijonte në shekuj, nën mbrojtjen e Selisë Apostolike. Por kjo s’qe e thënë, as këtë herë e as më vonë, shumë më vonë, në kohën kur ne gërmojmë në karta të vjetra, për të vërtetuar sa e lashtë është lidhja e Shqipërisë me Papët. Imzot Pal Engjëlli na la trashëgim dokumentin e parë të shqipes së shkruar, Formulën e Pagëzimit: “Unte paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit”. Dokumenti gjendet në një qarkore të shkruar në gjuhën latine.

Le të rikthehemi te Piu II, që e lamë dy hapa larg Shqipërisë e te Kryeipeshkvia e Durrësit, dy hapa larg shpalljes seli kardinalore. Dy hapat mbetën dy hapa, e s’u bë kurrë një hap i tretë e i vërtetë. Papa vdiq në Ankonë, Shqipëria mbeti pa kremtime, Skënderbeu pa kurorë e Pali pa petkat e kardinalit, të kuqe, si gjaku që derdhej rrëke rreth tij, në ndeshjen për jetë a vdekje të epokës.

Megjithatë, meriton të kujtohet në këto ditë të lume, si pararendës i dy kardinajve, me veshje në ngjyrën e gjakut të derdhur jo shumë vite më parë në trojet shqiptare për Krishtin e Mëkëmbësin e tij mbi tokë, Papën e Romës, gjë që sapo e rikujtuan shqiptarët, në kremtimin e madh për lumnimin e 38 martirëve, përfaqësues i të cilëve është sot kardinali i dytë shqiptar, Ernest Simoni.

Ndërsa i pari mbetet Mikel Koliqi (Shkodër, 29. 09. 1902- Shkodër, 28 janar 1997) .

Lindi në Shkodër, më 29 shtator 1902. Pasi studioi filozofi e teologji në Itali, u shugurua meshtar më 30 maj 1931 dhe nisi veprimtarinë baritore në dioqezën e Shkodrës, ku u emërua mëkëmbës i përgjithshëm në vitin 1936. Me zellin e fantazinë e tij krijuese, e çoi Ungjillin në gjirin e të rinjve përmes shtypit, veprimtarive artistike dhe themelimit të një shoqërie filodramatike. Shprehte kështu, pasionin e tij për artet, posaçërisht për muzikën. Kardinali, përveçse meshtar, ishte edhe muzikant i lindur, vëlla i një poeti të shquar, Ernest Koliqit, e mik i poetëve të tjerë të kohës. Kujtojmë lidhjen e tij të ngushtë me të Lumin Ndre Zadeja, autor i melodramave të para të letërsisë shqipe, të cilat na i la trashëgim të muzikuara. Në një natë të errët vjeshte të vitit ogurzi 1945, u burgos së bashku me një mori meshtarësh e shekullarësh shkodranë. E dënuan me 21 vjet punë të detyruar me akuzën se dëgjonte radio të huaja. Do të kish vdekur në burg, po të mos vdiste para tij diktatori Hoxha, të cilit as nëpër mend nuk i pati shkuar se, në birucat e burgut të diktaturës po përgatiste një mori martirësh, nga të cilët, 38 tashmë të Lum, e edhe dy kardinaj të Kishës katolike. U lirua më 1986 për shkak të moshës, pasi e kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës në burg. Dilte nga burgu, i kënaqur se po shkonte për të vdekur në shtëpi. Po rrugët e Zotit janë të pashqyrtueshme: Papa Gjon Pali II do ta lartonte në nderimet e kardinalit në Koncistorin e 26 nëntorit 1994. E ai do ta shikonte përsëri Romën, i veshur me petka të kuqe, si gjaku i martirëve, që do t’i përfaqësonte pranë Katedrës së Shën Pjetrit e do të merrte nga dora e Papës palion, unazën e kësulën kardinalore. U kthye në shtëpinë e Atit më 28 janar 1997, në moshën 94 vjeçare.

Ja edhe jetëshkrimi Kardinalit të dytë, Ernest Simoni, ashtu si u lexua  pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës  09. 10. 2016:

“I nderuari Ernest Simoni lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshtara të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëhere e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Nësa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit. Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyrar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat, 12 në minerë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Ky kardinali i dytë i shqiptarëve.

Kush do të jetë i treti? Sepse urojmë që të ketë edhe të tjerë kardinaj në trojet shqiptare, ku krishterimi, i përndjekur e i përgjakur, vijon të jetojë që prej dymijë vjetësh!








All the contents on this site are copyrighted ©.