2016-11-18 13:06:00

Papa: Zoti u dhëntë meshtarëve guximin e varfërisë së krishterë


Populli nuk e fal meshtarin, që rend pas parasë! Zoti na dhëntë hirin e varfërisë së krishterë: këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë. Të pranishëm, sekretarët e nuncëve apostolikë, në Vatikan për Jubileun e bashkëpunëtorëve të përfaqësive papnore, organizar nga Sekretaria e Shtetit.

Në Ungjillin e ditës, Jezusi i dëbon nga Tempulli tregtarët, që e kanë shndërruar shtëpinë e Zotit nga vend lutjeje, që ishte e që është, në strofull hajdutësh! Zoti na lë të kuptojmë, kështu, se ku është fara e antikrishtit, fara e armikut, fara e rrënimit të Mbretërisë së Tij: rendja pas fitimit, kapja pas parasë. Zemra e kapun pas parasë, është zemër idhujtare. Jezusi vijon të na kujtojë se nuk mund t’i shërbesh njëherësh dy zotërinjve, dy padronëve: Zotit e parasë! Paraja – shpjegoi Papa – është anti-Zoti. Po ne mund të zgjedhim:

“Zotin Hyj, shtëpinë e Zotit Hyj, që është shtëpia e lutjes. Mund të zgjedhim takimin me Zotin, me Hyjin e dashurisë. Ose zotin-para, që hyn në shtëpinë e Zotit Hyj.  Përpiqet gjithnjë të hyjë. Tek ata, që i lëshonin me qira vendet në Tempull, eh? Priftërinjtë…. Lëshonin Tempullin me qera, pastaj hynin paratë... Paraja është zot, që mund ta rrënojë gjithë jetën tonë  e mund të na bëjë të mbarojmë keq, pa lumturinë, pa gëzimin, që buron në zemrën e njeriut, i cili i shërben Zotit, i vetmi që është i aftë të na japë gëzimin e vërtetë”.

Mund të zgjedhësh njerën, o tjetrën rrugë. Varet nga ti! Si sillesh ti me paratë? Je i kapur pas tyre?

Populli i Zotit, që ka nuhatje tejet të hollë si për të pranuar e për të kanonizuar, ashtu edhe për të dënuar - sepse populli i Hyjit e ka edhe aftësinë për të dënuar - ua fal shumë ligështi priftërinjve, po dy, veç, nuk ua fal kurrë: rendjen pas parasë e keqtrajtimin e njerëzve, kur ndodh që prifti i keqtrajton pikërisht ata, që duhet t’i ngushëllojë. Këtë populli i Zotit nuk e bluan. E nuk ta fal! Të tjerat, ligështitë e tjera... Mëkatet e tjera… e po, nuk janë të mira, por ai, prifti, i varfëri, është vetëm, e prandaj…. Kështu kërkon ta justifikojë. Gjithsesi, dënimi nuk është tepër i fortë, e as përfundimtar: populli i Zotit ka mësuar ta kuptojë këtë, Gjendja e një zotërie, që ka para, e nxit edhe meshtarin të jetë padron, a princ, a edhe më lart akoma…”

Papa kujtoi “terafimt”, idhujt që Rakele, gruaja e Jakobit, i mbante fshehur:

“E trishtë të shikosh një prift, që arrin në fund të jetës, në agoni, në koma, e nipat e tij që sillen rrotull si korba, në pritje që të rrëmbejnë diçka!”. Jepjani këtë kënaqësi Zotit: bëjeni një rrëmim të vërtetë të ndërgjegjes:

“O Zot. Ti je Zoti im… ose - si Rakele -  kujtojuni për terafimin, që fshihet në fund të zemrës suaj e pyeteni veten: ‘Thua ky idhull është Zoti im?’. E jini guximtarë. Zgjidhni’. Para të mjaftueshme, aq sa ka një punëtor i ndershëm! Kursim të mjaftueshëm, aq sa ka punëtori i ndershëm. Po nuk është i lejueshëm interesi, është idhujtari. Zoti na dhëntë të gjithëve hirin e varfërisë së krishterë!”.

Kështu Papa, që e përfundoi homelinë me fjalët:

 “Zoti na dhëntë hirin e varfërisë së punëtorëve, atyre që punojnë e fitojnë aq sa është e drejtë e nuk kërkojnë më shumë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.