2016-11-17 14:15:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: historia e Ebed-Melekut


“Të vizitojmë të burgosurit” është vepra e mëshirës, për të cilën filluam të flasim javën e kaluar. Kësaj radhe do të japim shembullin e Ebed-Melekut, etiopasit që nuk u mjaftua me vizitën tek Jeremia profet, në burg, por bëri edhe ç’është e mundur për ta ndihmuar atë.

Në kohën kur mbretëronte Sedeci në Jeruzalem, Jeremia profet predikonte në qytet, duke kumtuar fundin e afërt të mbretërisë së Judës nga dora e kaldeasve. Zëri i tij ngrihej në shkretëtirë, sepse askush nuk e dëgjonte, madje, predikimi i tij jepte aq bezdi, sa paria i tha mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua humb guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën” (Jer 38,4). Mbreti i la të bënin ç’të donin e ata e futën Jereminë në burg. Por, sipas tyre, dënimi nuk ishte i mjaftueshëm, prandaj vendosën ta hidhnin në një çisternë e aty, Jeremia u zhyt në baltë.

Një etiopas, që quhej Ebed-Melek dhe shërbente në pallatin mbretëror, shkoi ta shihte në burg. Ishte njeri i mëshirshëm e s’mund të rrinte indiferent para kësaj padrejtësie, prandaj, mori guxim e u paraqit para mbretit. Mbreti ua dëgjonte shumë fjalën zyrtarëve të vet, por Ebed-Meleku ia shpjegoi çështjen e Jeremisë me urti e takt, pa përmendur synimin e parisë për ta vrarë profetin. I kujtoi mbretit një detaj, në dukje të parëndësishëm: i tha se në çisternë do të kishte vdekur për bukë, sepse nuk kishte bukë në qytet. Përmes këtij simboli, që lidhet me urinë, me zinë e me vdekjen, ai, tërthorazi, i thoshte mbretit së të gjithë do të vdisnin së shpejti e se vetëm Zoti mbetet i vetmi, që na çliron nga e keqja, siç shkruhet në Librin e Psalmeve: “Zoti i mban ata që lëkunden dhe e ngre këdo që bie” (Ps 145,14). Atëherë, Sedeci mbret e autorizoi të nxirrte Jereminë nga gropa me baltë. Ebed-Meleku shkoi në burg, i shoqëruar nga disa burra me litarë, që e tërhoqën sipër Jereminë, duke e nxjerrë nga çisterna.

Duke u kujdesur për Jereminë, etiopasi iu kundërvu krerëve, të cilën donin vdekjen e profetit. Qe i vetmi që, në një çast dramatik, nuk pati frikë jo vetëm të hynte në burg, por edhe të bënte ç’ishte e mundur për ta shpëtuar Jereminë. Tek Ebed-Meleku shohim se duart e zemra punojnë njëkohësisht e në marrëveshje; shqetësimi i tij e çon drejt veprimit, ashtu si duhet të jetë për çdo njeri të drejtë, i cili, për meritat e tij, do të mbijetojë pas shkatërrimit të qytetit. Sipas premtimit, që i pati bërë Zoti Jeremisë, etiopasi do të lirohej nga duart e armiqve dhe nga vdekja, jo vetëm sepse vizitoi profetin në burg dhe e nxorri nga pusi, por sepse pati besim në Hyjin.

Ebed-Melek besoi në fitoren e së mirës mbi të keqen, e respektoi jetën e tjetrit dhe e la veten e veprimin e vet në dorë të Hyjit. Ai përfaqëson “tepricën”, pjesën që mbetet nga bijtë e Izraelit, me të cilën Hyji do të ndërtojë një të ardhme shëlbimi për popullin e vet (shih Rom 9,27). Ebed-Melek konsiderohet simbol i jetës, që shkon përtej vdekjes, është shpresa e shëlbimit, që Zoti u rezervon atyre, që bëjnë mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.