2016-11-17 17:08:00

Papa Karitaseve: me guximin profetik refuzoni atë që e poshtëron njeriun


Papa Françesku priti sot paradite në Sallën Klementina në Vatikan anëtarët e Këshillit të Përfaqësisë së Karitasit Ndërkombëtar, mbledhur në Romë për asamblenë institucionale. Kisha – vërejti Papa në fjalimin e tij, botuar nga Salla e Shtypit të Vatikanit – “ekziston për të ungjillëzuar”, mirëpo “ungjillëzimi kërkon t’i përshtatemi situatave të ndryshme, duke pasur para sysh jetën familjare e atë shoqërore, si edhe jetën ndërkombëtare me një vëmendje të veçantë ndaj paqes, drejtësisë, zhvillimit”. Papa Françesku ripohoi se “opsioni i preferuar i Kishës, sipas Ungjillit, është ai për të varfrit. Për këtë jemi të thirrur të veprojmë kundër përjashtimit e mënjanimit shoqëror të njerëzve më të brishtë e për të punuar për integrimin e tyre. Shoqëritë tona, vërtetë, shpesh janë të dominuara nga kultura e ‘përjashtimit’; prandaj kanë nevojë për të kapërcyer indiferencën e për t’u kthyer në udhën e drejtë, e për të mësuar kështu artin e solidaritetit”.

Karitaset – lexohet akoma në tekstin e Papës – “nuk janë agjenci shoqërore, por organizma kishtare që bashkëndajnë misionin e Kishës”. “Është fjala për të bërë të shkëlqejë dashuria bamirëse dhe drejtësia në botë në dritën e Ungjillit e të mësimit të Kishës, duke përfshirë vetë të varfrit që të bëhet protagonistë të vërtetë të zhvillimit të tyre”. “Varfëria, uria, sëmundjet, trysnia nuk janë një fatalitet e nuk mund të përfaqësojnë situatat permanente. Duke u mbështetur në forcën e Ungjillit, ne mund të kontribuojmë me të vërtetë për t’i ndryshuar sendet a së paku për t’i përmirësuar”.

Nga këtu thirrja e Atit të Shenjtë Bergoglio: “Ju ftoj të keni përherë guximin profetik, për të refuzuar gjithçka që e mposht a poshtëron njeriun, e çdo formë të shfrytëzimit që e degradon. Vazhdoni t’i vendosni ato shenja të vogla e të mëdha të mikpritjes e të solidaritetit që kanë aftësinë për të ndriçuar jetën e fëmijëve e të moshuarve, të emigrantëve e refugjatëve në kërkim të paqes. Jam shumë i kënaqur që mësova se Caritas Internationalis do ta çojë përpara Fushatën pikërisht mbi temën e emigracionit. Shpresoj që kjo nismë e bukur t’i hapë zemrat e shumë njerëzve ndaj emigrantëve e refugjatëve, që mund të ndjehen vërtetë ‘në shtëpi’ nëpër komunitetet tona.

“Jini artizanë të paqes e të pajtimit ndërmjet popujve, ndërmjet komuniteteve, ndërmjet besimtarëve, këshillon Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.