2016-11-16 12:29:00

Papa: Bashkësia ndërkombëtare të garantojë të drejtat e fëmijëve!


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi se të dielën e ardhshme, më 20 nëntor, do të kremtohet Dita botërore e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve, duke i bërë thirrje Bashkësisë ndërkombëtare në favor të më të vegjëlve.

“I bëj thirrje ndërgjegjes së të gjithëve, institucioneve e familjeve, të mbrohen gjithnjë fëmijët e mirëqenia e tyre, që të mos bien kurrë në format e skllavërisë, të rekrutimit në grupet e armatosura e të keqtrajtimeve të tjera. Uroj që Bashkësia ndërkombëtare ta ruajë jetën e tyre, duke i garantuar çdo djali e vajze, të drejtën të vijojë shkollën, të edukohet, të rritet i qetë  e ta shikojë plot besim e shpresë të ardhmen”.

Raporti Unicef 2016

Sipas Raportit Unicef 2016 mbi gjendjen e fëmijëve në botë, vitet e fundit vërehet një progres i dukshëm në përpjekjet për t’i mbrojtur fëmijët, duke u siguruar shkollën e duke i ndihmuar prindërit e tyre për të shpëtuar nga varfëria. Vdekshmëria e fëmijëve nën moshën 5 vjeç, nga viti 1990 e deri më sot, është përgjysmuar e, në vende si Etiopia, Liberia, Malawi e Nigeri,  është pakësuar më shumë se dy të tretat. Në 129 shtete janë krijuar mundësitë që të gjithë fëmijët të ndjekin shkollën fillore e numri i njerëzve të cilët jetojnë në varfëri të plotë, është përgjysmuar.

Megjithëkëtë, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do të përqendrohet mbi situatën dramatike të fëmijëve më të pafat, brenda vitit 2030 (datë përfundimtare e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm) 69 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç do të vdesin për shkaqe që mund të shmangen, 16 milionë të tjerë do të jetojnë në varfëri, 750 milionë vajza do të  martohen ende të mitura e më se 60 milionë fëmijë në moshën e arsimit fillor, do të përjashtohen nga mundësia për të ndjekur shkollën.

Sipas Unicefi-t, “sot jemi përballë një udhëkryqi: o do të investojmë menjëherë për këta fëmijë, o do të ndihmojmë për ta bërë këtë botë gjithnjë më të pabarabartë e më të përçarë. Me të gjitha pasojat, që shkaktojnë pabarazia e përçarja!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.