2016-11-14 14:27:00

Parolin: paqja e dalë nga bisedimet në Siri t’u japë garanci të krishterëve


Ndërsa vazhdojnë dy ofensiva kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik, në Siri e në Irak, mbetet kritike gjendja e të krishterëve. Të përzënë nga tokat e tyre, të persekutuar nga okupatorët fundamentalistë, bashkësitë e rajonit presin me besim fundin e luftës. Për ta u fol në një konferencë triditore me titull “Damasku, prizma e shpresës”, me rastin e 100-vjetorit të Institutit Papnor Lindor të Romës.

Fitorja mbi të ashtuquajturin “Kalifat” të Isis-it është përparësi për kthimin e të krishterëve në tokat e tyre. Nga fshatrat e sulmuar në verilindje të Sirisë e deri në të larguarit nga Mosuli, në Irak, pritet fundi i luftës për të rifilluar jetën. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shpjegoi:

“Shpresojmë që gjendja po vihet udhës së drejtë për të arritur së pari, në armëpushim e, pastaj, në përfundimin e luftës e në një zgjidhje me bisedime. Ja, këtu ngul gjithnjë këmbë Selia e Shenjtë: palët duhet të ulen së bashku e të kërkojnë një rrugëdalje. Kjo është shpresa jonë. Shpresojmë edhe që skenarët e rinj ndërkombëtarë – krijuar nga zgjedhjet në SHBA-të, me presidentin e ri – t’i shërbejnë këtij qëllimi. Ne shpresojmë që kjo zgjidhje të ketë parasysh edhe të krishterët: ata duhet të jenë plotësisht banorë të tokës e të vendit të tyre, në mënyrë që të kontribuojnë, ashtu si qytetarët e tjerë, në ndërtimin e shoqërisë, në të cilën duhet të ndjehen pjesë përbërëse”.

Në Irak, dalëngadalë po ripopullohen fshatrat e Pllajës së Ninives, megjithëse pjesa më e madhe e të krishterëve mbetet në kampet e refugjatëve në Kurdistanin irakian. Kritike, edhe gjendja në Haleb të Sirisë, ku 250 mijë vetë ndodhen të rrethuar në lagjet lindore. Të dëgjojmë prefektin e Kongregatës për Kishat Lindore, kardinalin Leonardo Sandri:

“Fatkeqësisht, të gjitha lajmet na shkaktojnë ankth, vuajtje, shqetësim për dhimbjen e tmerrshme të vëllezërve tanë, sidomos në Haleb, por edhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Pavarësisht nga kjo panoramë negative dhe e errët, ne i lutemi Zotit për dritën e paqes, të mirëkuptimit, të dialogut, të takimit ndërmjet gjithë njerëzve të Lindjes së Mesme, ndërmjet të gjitha feve; e që veçanërisht të krishterët të jenë gjithnjë pikë ekuilibri në këtë rajon të dashur”.

Solidaritet për të krishterët e Sirisë dhe të Irakut, edhe nga bashkësia e Tokës Shenjte. Ja ç’tha në konferencë, administratori apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa:

“Nuk ka të krishterë, që të mos flasë për vëllezërit e vet në Siri e në Irak. Është bukur, kur sheh kaq solidaritet. Të gjitha bashkësitë e krishtera shprehin solidaritet, edhe konkret, me mbledhje fondesh e me lutje për vëllezërit e tyre të krishterë. I admirojnë për dëshminë, që po japin, e edhe inkurajohen prej tyre. Me problemet e shumta të Tokës Shenjte, dëshmia e të krishterëve të Sirisë e të Irakut u jep guxim të krishterëve të zonës të ecin përpara me forcë. Si në gjithë Lindjen e Mesme, edhe në Tokën Shenjte – në Izrael e Palestinë – ka fenomene ekstremizmi, që shqetësojnë, sepse nuk janë më episode, aty-këtu, si dikur, por bëjnë pjesë në rryma ideologjike problematike. Por, mendoj se ka akoma kohë për t’i bllokuar këto situata, që në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme mbeten jashtë kontrolli”.








All the contents on this site are copyrighted ©.