2016-11-14 12:50:00

Papa futbollistëve të Gjermanisë: të kapërcehen pengesat që i dënojnë të varfërit


Françesku u takua sot, në Vatikan, me skuadrën kombëtare të futbollit të Gjermanisë, nesër përballë skuadrës italiane në një ndeshje miqësore, në Stadiumin Meazza të Milanos.

Të nderuar Zotërinj e Zonja, kam kënaqësinë të përshëndes kampionët botërorë aktualë të futbollit këtu, në Vatikan - këto, fjalët e para që u drejtoi futbollistëve Papa – për të falënderuar më pas presidentin, zotin Grindel dhe kapitenin, zotin Neuer, për fjalët e mira.

Kam dëgjuar - vijoi Papa - se fitoret tuaja janë fitore skuadre. Prandaj edhe quheni “Mannschaft”, domethënë “Skuadër”, emri i grupit tuaj. Në të vërtetë veprimtaritë sportive kërkojnë jo vetëm shumë disiplinë e flijim personal, por edhe respekt për të afërmin e frymë skuadre. Kjo ju çon tek suksesi si Mannschaf (Skuadër) e, njëkohësisht, ju nxit ta njihni përgjegjësinë tuaj përtej fushës së futbollit, posaçërisht lidhur me të rinjtë, që shpesh ju shikojnë si modele. Prej këndej, ju nxit edhe të angazhoheni së bashku për disa objektiva të rëndësishme shoqërore. Në këtë fushë, ju shpreh mirënjohjen posaçërisht për mbështetjen që u jepni “Sternsinger”, “Këngëtarëve të Yllit”, për t’i ndihmuar konkretisht fëmijët dhe të rinjtë e vendeve më të varfëra. Kjo nismë tregon se është e mundur të kapërcehen së bashku pengesat, që duken të pakapërcyeshme dhe i dënojnë njerëzit nevojtarë e të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Edhe kështu mund të jepni ndihmesën tuaj për ndërtimin e një shoqërie më të denjë e më solidare.

Ju falënderoj për vizitën tuaj - tha në përfundim Papa - duke ju uruar gjithë të mirat në veprimtarinë sportive e shoqërore. E, duke bekuar me gjithë zemër secilin nga ju si dhe familjet tuaja, ju lutem ta thoni një uratë për mua. Faleminderit!








All the contents on this site are copyrighted ©.