2016-11-13 17:00:00

Mbyllen në të gjithë botën, Portat Shenjte jubilare


Kremtime të rëndësishme kësaj së diele në të gjithë botën. Në Vatikan, Papa Françesku kremtoi Engjëllin e Tënzot dhe meshën për Jubileun e njerëzve të mënjanuar nga shoqëria, së bashku me pjesëmarrësit e shtegtimit jubilar të njerëzve të rrugës, promovuar nga shoqata “Vëllai”. Ati i Shenjtë i takoi shtegtarët që të premten në Sallën Pali VI e u kushtoi atyre edhe audiencën e jashtëzakonshme jubilare të djeshme, përqendruar në një aspekt të rëndësishëm të mëshirës: përfshirjen, që askush të mos ndjehet i përjashtuar nga radhët e shoqërisë.

Po sot, në të gjithë botën u mbyllën Portat Shenjte të Vitit Jubilar të Mëshirës, i cili do të përfundojë zyrtarisht më 20 nëntor, në festën e Krishtit Mbret, me mbylljen e Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në Romë, u mbyllën Portat Shenjte të Bazilikave të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe e të Shën Palit jashtë Mureve, të gjitha pasdite, pavarësisht se në orare të ndryshme. Ndërkaq, dje, në Strehën e Karitasit për të varfërit, që mban emrin e don Luigji Di Liegros, drejtorit të ndjerë të Karitasit, që ka punuar edhe në Tiranë, Porta e Shenjtë e hapur në fillim të Jubileut nga Papa Françesku, u mbyll me meshën e kremtuar nga kardinali-vikar i dioqezës, Agostino Vallini.








All the contents on this site are copyrighted ©.