2016-11-12 13:02:00

“Në sytë e tu është fjala ime”: tekste të Bergoglios nga 1999 deri më 2013


“Në sytë e tu është fjala ime”: ky, titulli i vëllimit përgatitur nën kujdesin e atë Antonio Spadaros, drejtor i revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica”, që përmbledh homelitë dhe fjalimet e kryeipeshkvit Jorge Mario Begoglio, mbajtur në Buenos Ajres nga vitet 1999 - 2013, pra deri në zgjedhjen në fronin e Shën Pjetrit. Në tekstin, shtypur nga Rizzoli, paraqitur këto ditë në Romë, pranë Kuries së Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit, vihet në dukje vëmendja e posaçme që i kushtonte Papa Françesku, asokohe, ashtu si sot, lidhjes me besimtarët, gjë që bie menjëherë në sy në homelitë e në mënyrën e komunikimit me njerëzit:

“Nuk duhet të ketë asgjë ndërmjet predikatarit e popullit. As edhe një  copë letër! Nëse lexon, nuk mund t’i shikosh njerëzit në sy!”. Ky, një nga fragmentet e bisedës së Papës me atë Spadaron, që shkroi parathënien e librit “Në sytë e tu është fjala ime”. Konfirmim, që tregon se Papa Françesku e dëshiron gjithnjë kontaktin e drejtpërdrejt njerëzor. “Shumë herë dal nga teksti i shkruar, duke shtuar fjalë e shprehje, që nuk janë të shkruara. E kështu mund t’i shikoj njerëzit në sy - pohon Françesku. - E ndjej këtë nevojë, që më buron nga thellësitë e shpirtit”. Tregon, pastaj, fazat e ndryshme të përgatitjes së një homelie, çast - posaçërisht për homelinë e Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës -  që nis një ditë më parë, duke lexuar tekste biblike. Gjatë ditës idetë valojnë – rrëfen Papa - e pastaj bëj atë, që thotë Shën Injaci: flej përmbi to! E, kur zgjohem, më lind frymëzimi. Të flasësh pa letër nuk do të thotë të mos përgatitesh: përkundrazi! Leximi i Dostojevskit - vijon Françesku - më ka ndihmuar shumë në predikim. Ashtu si më ndihmon leximi i librave e i poezive të ndryshme. Homelia, pra, shikohet si çast i rëndësishëm i marrëdhënieve me njerëzit, sepse - shton Françesku - homelia është kumt, ndryshe nga konferencat, ku duhet luajtur roli i doktorit. Rëndësi ka - sipas Françeskut - të mos largohesh nga njerëzit e nga problemet e tyre. E prej këndej buron edhe vlera e rrëfimit. Rrëfyestorja nuk është lavanderi, e aq më pak, dhomë torture. Sa më shumë largohesh nga njerëzit, aq më shumë - thekson Françesku - strehohesh në një teologji, që nuk thotë asgjë, teologji boshe, abstrakte. Dashuria e vërtetë nuk është as e acartë, as e shtangët e as e ngurtë.

Por, sa nga kryeipeshkvi Bergoglio mbetet ende tek Papa Françesku? Përgjigjet sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që foli, ndërmjet tjerësh, në paraqitjen e librit:

“Mbeta thellësisht i prekur sepse, thënë me dy fjalë, kryeipeshkvi është i tëri tek Papa Bergoglio, ngaqë temat që po propozon e po zhvillon në Kishë, ishin të pranishme që në periudhën e episkopatit në Buenos Ajres. Natyrisht tani i përkasin Kishës universale, por gjithsesi aty e gjen, aty është, i tëri!”.  

Titulli “Në sytë e tu, fjala ime”, pasqyron dëshirën e Papës për të folur me besimtarët pa letër përpara, pa tekst të përcaktuar. Lidhur me zgjedhjen e këtij titulli, të dëgjojmë atë Antonio Spadaron, që u kujdes për botimin e librit: “
“Zakonisht Papa Françesku përdor copa letrash, ku ka shënimet, ka edhe tekstet. Por, duke e parë nga afër - e unë e shoh shpesh gjatë shtegtimeve jashtë Italisë – ai ka gjithnjë nevojë të shikojë ndokënd, t’ia ngulë sytë ndokujt; sepse nuk mjafton ta lexosh një teskt, duhet kontakti i drejtpërdrejt; e prej këndej, njeriu bëhet më shprehës, më krijues. E dimë se Papa Françesku shkëputet shpesh herë nga teksti i përgatitur, për t’u drejtuar atyre, që e dëgjojnë, ndonjë fjalë, e cila  lind atë çast nga mendimi i tij, nga zemra e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.