2016-11-12 15:54:00

SHBA, protesta kundër Trump; ipeshkvijtë: të mbrojë jetën dhe të varfërit


Nuk pushojnë protestat në sheshet e Amerikës, kundër presidentit të sapozgjedhur. Manifestimet vijojnë në New York e Los Angeles; në Oakland protestat përfunduan me ndeshje ndërmjet manifestuesve dhe forcave të rendit dhe me plagosjen e tre policëve. Mbi zgjedhjen e Trump dhe rolin e katolikëve në këtë fazë të re të politikës amerikane, intervistuam imzot Joseph E. Kurtz, kryeipeshkëv i Louisville, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të  SHBA-ve:

 Mirë, para së gjithash për ne, katolikët, për njerëzit vullnetmirë, për besimtarët, një zgjedhje është fakt shumë, shumë i rëndësishëm, sepse e ndihmon vendin, kombin, në kërkimin, në gjirin e tij, të së mirës së përbashkët: për të mirën e njeriut, për atë të mirë, që quhet respektim i dinjitetit të çdo njeriu. Vitin e kaluar, kur Papa Françesku erdhi në SHBA-të dhe vizitoi si Kongresin, ashtu edhe Shtëpinë e Bardhë, e pastaj edhe Philadelphia-n, në Takimin botëror të familjeve, ripohoi me forcë angazhimin në procesin politik. Prej këndej, ndërsa nuk mbështesim posaçërisht asnjë kandidat, ne kërkojmë të mirën e përbashkët, theksojmë mësimin tonë social katolik dhe parimet, që tregojnë udhën drejt së mirës së përbashkët. Prej këndej, si përfundoi zgjedhja, dëshirojmë t’i urojmë mirëseardhjen presidentit të ri dhe të gjithë të zgjedhurve të tjerë, sepse dëshirojmë të punojmë në lidhje të ngushtë me presidentin Trump dhe me dy Dhomat e Kongresit, në kërkim të pëparimit real të së mirës për të gjithë. Kështu matet suksesi: nëse të gjithë janë më mirë, edhe zgjedhja është më e mirë! Përndryshe… Shpresojmë se do të mund të bëjmë – si Konferencë ipeshkvnore - atë, që e kemi bërë në njëqind vjetët e fundit.

 A mendoni se kjo zgjedhje mund të marrë kuptim të veçantë, për faktin se u bë pikërisht në Vitin e Mëshirës?

Natyrisht jam i kënaqur që folëm për Vitin e Mëshirës,  i cili po i afrohet fundit: ishte dhuratë e madhe e prej tij mund të vijojmë të përfitojmë për  të përcaktuar mënyrën sesi do ta trajtojmë ngjarjen aktuale. Unë them gjithnjë: “Mëshira është dashuria e Zotit, kur prek zemrën e ndokujt, që është i papërkryer! Domethënë, zemrën e ne të gjithëve”. E kjo është e vërtetë posaçërisht në arenën politike. Nuk duhet t’i flijojmë bindjet tona, natyrisht, por duhet t’i çojmë përpara: t’i propozojmë gjithnjë, pa i imponuar kurrë, duke u përpjekur përherë t’i vëmë në dukje anët më të mira të të afërmit tonë.

Një mendim të veçantë për katolikët amerikanë…

Them se çdo zgjedhje e re ofron mundësi për një fillese të re. Disa mund të pyesin: e si mund të pajtohet vendi ynë, të bashkohet, të punojë bashkërisht për të përmbushur, kështu, atë premtim, që ne e quajmë “unitet më i përkryer”? Shpresa në Krishtin i shtyn besimtarët të bashkohen me njerëzit vullnetmirë e me përfaqësues të feve të tjera, për të përfituar - në se mund të shprehemi kështu – nga ky fillim i ri, për ta parë si mundësi të re, si kohë në të cilën duhet të përpiqemi të dalim nga spiralja e dhunës, për të hyrë në epokën e qytetërimit, në debatet tona publike.








All the contents on this site are copyrighted ©.