2016-11-11 13:56:00

U shua këngautori kanadez Leonard Cohen


U shua, në moshën 82 vjeçare, këngautori kanadez, Leonard Cohen: la pas një mori suksesesh, si Hallelujah e Suzanne. Në tekstet e tij ndjehen fuqimisht dashuria e feja, gëzimi e dhimbja e jetës.

Leonard Cohen u frymëzua vazhdimisht nga origjina e tij hebraike, ndonëse nuk e quajti kurrë veten besimtar. Tekstet e tij janë plot me referime biblike, si  Hallelujah, përmes së cilës i këndon dashurisë, duke kujtuar historinë e Davidit e Betsabesë dhe Sansonit e Dalilës. Te Suzana këndon për Jezusin. Nganjëherë - thotë - ndjej hirin e një pranie tjetër në jetën time, por nuk jam në gjendje të jetoj një jetë të vërtetë shpirtërore. Kohen mahnitet nga misteri i fjalëve. Do të desha ta them gjithçka që mund të thuhet, me një fjalë të vetme - shprehet artisti i madh - që shton se vuan shumë nga depresioni e se shpesh pushtohet nga pesimizmi. Heret a vonë do të shpërthejë lufta e tretë botërore -  pohon. - E trishtohet, sepse e do fort jetën. E kjo e shtyn të zemrohet keqas me fodullëkun e atyre, që vrasin fëmijët ende të palindur. Kënga e shpirti i tij janë gjithnjë përkrah të shtypurve. E ndjej fuqimisht praninë e një syri, që i shikon të gjithë e të gjitha e edhe i vlerëson. Kjo botë - mendon – është plot me konflikte, e megjithatë, një Hallelujah e fuqishme shpërthen nga zemra jonë e i përqafon të gjitha kundërshtitë. ”Do të desha të jetoj përgjithmonë”- kjo, dëshira e tij.  - Por kohët e fundit pati shtuar “Jam gati, Zoti im!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.