2016-11-11 12:51:00

Papa: dashuria e krishterë është konkrete, jo ideologjive e intelektualizmave


Dashuria e krishterë është konkrete, nuk është dashuri “soft” telenovele. Ky, pohimi i Papës Françesku në Meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa u kërkon të krishterëve të ruhen nga idelogjitë dhe intelektualizmat, që “e shpulpojnë Kishën”, duke pohuar se kriteri i dashurisë së krishterë është “Mishërimi i Fjalës”.

Dialog dashurie ndërmjet Bariut e Nuses së tij, Kishës. Për homelinë e Meshës së sotme Papa Françesku e mori shtytjen nga Leximi i parë, një fragment nga Letra e dytë e Shën Gjonit Apostull, për t’u ndaluar tek dashuria e krishterë. Kujtoi, sidomos, se urdhëri që morëm nga Zoti është “të ecim në dashuri”. Por për çfarë dashurie bëhet fjalë?  - pyet Papa. Kjo fjalë – vërejti - sot përdoret për shumë sende. Përdoret për ndonjë roman, për ndonjë telenovelë, për ndonjë dashuri teorike.

Kriteri i dashurisë së krishterë është Mishërimi i Fjalës

Po cili është, atëhere, kriteri i dashurisë së krishterë - vijoi Françesku – është “Mishërimi i Fjalës”. E kush e mohon këtë, kush nuk e pranon, është antikrisht!”:
“Një dashuri, që nuk e pranon se Jezusi erdhi me  Mish e Gjak, në Mish e Gjak, erdhi mes nesh i Mishëruar, nuk është dashuri sipas urdhërimit të Zotit. Është dashuri sipas botës, dashuri filozofike, dashuri abstrakte, dashuri e zbehtë, dashuri soft. Jo! Kriteri i dashurisë së krishterë është Mishërimi i Fjalës”.

Kush thotë se dashuria e krishterë është tjetër gjë, ky është antikrisht! Që nuk e pranon se Fjala erdhi ndër ne me Mish e Gjak. E kjo është e vërteta jonë: Zoti e dërgoi Birin e vet, u mishërua e jetoi, si jetojmë ne. E na mësoi si duhet të duam. Të duam, si na mësoi Jezusi; të duam sipas shembullit të Jezusit; të duam, duke ecur në udhën e Jezusit. E udha e Jezusit është të japësh jetën!:

“E vetmja mënyrë për të dashur ashtu si na deshi Jezusi - vijoi Papa - është të dalësh vazhdimisht nga egoizmi yt e të nisesh t’u shërbesh të tjerëve. Është kjo, sepse dashuria e krishterë është dashuri konkrete, ngaqë konkrete është edhe prania e Hyjit Atë në Jezu Krishtin”.

Ideologjitë mbi dashurinë e shpulpojnë Kishën

Prej këndej, Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga ata, që shkojnë përtej kësaj “doktrine të mishërimit, sepse duke bërë kështu, nuk mbeten në doktrinën e Krishtit, nuk e zotërojnë Zotin”:

“Kjo e shkuar përtej është mister: është të dalësh nga Misteri i Mishërimit të Fjalës, nga Misteri i Kishës. Sepse Kisha është bashkësi rreth pranisë së Krishtit, që shkon përtej. Tejet e fortë, kjo fjalë, apo jo? … proagon, kush shkon përtej. E, prej këndej, lindin të gjitha ideologjitë: ideologjitë për dashurinë, ideologjitë për Kishën, ideologjitë që ia heqin Kishës Korpin e Krishtit. Këto ideologji e shpulpojnë Kishën”.

Po unë jam katolik; jam i krishterë; unë e dua botën mbarë, me dashuri universale… Po kjo është tepër qiellore. Dashuria është gjithnjë brenda, konkrete e jo përtej kësaj doktrine të Mishërimit të Fjalës.

Françesku vëren, pastaj, se kush nuk dëshiron të dojë, si e do Krishti nusen e vet, Kishën, me korpin e Tij e duke dhuruar jetën për të, dashuron ideologjikisht. E kjo mënyrë për të bërë teori, ideologji - shton -  e edhe propozime feje, që ia heqin Kishës Korpin Krishtit, që e lënë Kishën pa Korp, shkon përtej dhe e rrënon Kishën.

Dashuria e krishterë është konkrete, të shmangen intelektualizmat

Papa kujton edhe se po të nisim e të teorizojmë për dashurinë, do të arrijmë në shndërrimin e asaj që deshi Zoti me mishërimin e Fjalës, do të arrijmë tek një Zot pa Krisht, tek një Krisht pa Kishë e tek një Kishë pa popull. E ky është procesi i shpulpimit të Kishës:

“Ta lusim Zotin, që ecja jonë në dashuri të mos na bëjë kurrë, kurrë, njerëz abstraktë. E të urojmë që dashuria të jetë konkrete, me vepra mëshire, që ta prekë aty Korpin e Krishtit, të Krishtit të mishëruar. Prandaj Lorenci diakon pati thënë: ‘Të varfërit janë thesari i Kishës’. E pse? Sepse janë Korpi i munduar i Krishtit. Ta kërkojmë hirin për të mos shkuar përtej e për të mos hyrë në këtë proces, që ndoshta e josh dhe e shtyn shumëkënd për ta intelektualizuar, për ta ideologjizuar këtë dashuri, duke e shpulpuar Kishën, duke shpulpuar dashurinë e krishterë. E të mos arrijmë në spektaklin e një Zoti pa Krisht, të një Krishti pa Kishë e të një Kishe pa popull”.








All the contents on this site are copyrighted ©.