2016-11-11 17:28:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘C’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët, të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 33-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Tashmë gjendemi afër mbarimit të vitit liturgjik, e kështu edhe leximet biblike propozojnë tekste që na ftojnë të reflektojmë mbi udhën e gjatë që kemi bërë e pikësynimit drejt të cilit jemi të orientuar. Leximet biblike të kësaj së diele, na propozojnë, tekste “eskatologjike”, fjalë kjo me prejardhje greke që do të thotë “ajo që ka të bëjë me realitetet e fundit” të njeriut e të botës.

Më shumë mbi liturgjinë hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu....

Ne fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi lajmëron fitoren e së mirës mbi të keqën. Zoti do të vijë për të gjykuar historinë e botës dhe për të shndërruar çdo gjë. Kështu, DITA E ZOTIT, vjen e bëhet moment në të cilin gjithçka merr kuptim e shndërrim: në atë ditë çdo njeri, çdo gjë do të dalë në dritën e Zotit.
Kështu, leximet biblike kësaj së diele, na propozojnë për reflektim gjyqin e Hyjit, të cilin Malakia profet, në leximin e parë të kësaj së diele, e quan “ditë e Zotit”, duke e përshkruan si zjarr kozmik, si “furrë të ndezur flakë”.

Gjyqi i Zotit është agim i ditës së re që ngjyrosë e ndriçon çdo gjë me dritën e vet, është takim përfundim e vendimtar i njeriut me Krijuesin e vet, me Zotin, takim ky që i jep domethënie, shije e bukuri tërë jetës njerëzore. Pra, leximet biblike pohojnë se jo vetëm njeriu, por edhe bota, si vend i historisë njerëzore, një ditë do të gjykohet nga Zoti. Si e kur do të ndodhë kjo, këtë ne nuk e dimë; po me siguri dita e fundit e gjyqit të Zotit do të vijë për çdo njeri, sepse këtë na thotë vet fjala e Hyjit. E Zoti nuk gënjehet e nuk gënjen.

Ti kërkojmë Hyjit të Gjithëpushtetshëm të dimë ta shenjtërojmë jetën dhe kohën, që na ka besuar me dashuri, e të jetojmë një jetë të qetë e të lumtur, në harmoni e në dashuri vëllazërore.

                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Mal 3, 19-20
Dita e Zotit nuk është larg; ajo do të na bëjë të zbulojmë vetveten dhe do të shfaqë atë që ne jemi me të vërtetë. Nëse dikush është i varfër do të pasurohet, nëse dikush vuan do të gëzohet, nëse dikush është i vogël do të bëhet i madh. Atë ditë do të gjykojë njerëzit dhe do të bëjë të triumfojë drejtësia mbi të këqijtë dhe mëshira mbi të drejtët.
 
Lexim prej Librit të Malakisë profet
Kështu thotë Zoti: “Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë dita që po vjen – thotë Zoti i Ushtrive – e s’do t’u lërë as rrënjë as gem! Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndet sjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullotë.” Fjala e Zotit.
 
Psalmi 98
Eja, o Zot, për ta gjykuar botën

----- ----- -----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
----- ----- -----
Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin,
e malet le të gërthasin me hare.
----- ----- -----
Le të gërthasin me hare para Zotit,
që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi,
e popujt me maturi.
----- ----- -----
 
Leximi i dytë 2 Sel 3, 7-12
Nuk ka vend për parazitët të cilët jetojnë në kurriz të të tjerëve dhe mbjellin kudo grindje. Të punosh do të thotë të fitosh lirinë tënde, të bësh botën të banuar dhe jetën të mundur, të kesh diçka për të ofruar dhe për të bashkëndarë.Të presësh botën tjetër nuk duhet të jetë një justifikim për të harruar detyrat dhe përgjegjësitë e jetës së përditshme.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë.
Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull, që të na përngjani. Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!”
Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve u urdhërojmë dhe u qesim be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vet! Fjala e Zotit.
 
ALELUJA, aleluja.
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj. Aleluja.
 
Ungjilli Lk 21, 5-19
Jezusi përdor shpesh këtë shprehje “duhet të ndodhin këto gjëra” për të shpallur si mundimet e tij ashtu edhe përndjekjet e të krishterëve të parë.
Ai e përdor edhe për të profetizuar rënien e Jerusalemit dhe të tempullit të tij të mrekullueshëm. Jezusi nuk u premton besimtarëve të vet fitoren, përkundrazi ata do të jenë me të vërtetë dishepujt e tij nëse do të përballen me fatkeqësitë e historisë duke iu besuar diturisë dhe forcës së Ungjillit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, kur disa po flisnin për tempullin sesi është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni, nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.” E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”
“Ruajuni – u përgjigj – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.” Atëherë u tha: “Do të ngritët një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.
Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!” Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu....








All the contents on this site are copyrighted ©.