2016-11-10 10:59:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të vizitojmë të burgosurit, një nga veprat e mëshirës


Jo më larg se të dielën, Papa Françesku kremtoi në Vatikan Jubileun e të burgosurve, për të cilët foli edhe dje, gjatë audiencës së përgjithshme. Një nga veprat e mëshirës, vënë në pah gjatë këtij Viti Shenjt, është pikërisht “vizita tek të burgosurit”. Kësaj vepre i kushtohet emisioni ynë i sotëm.

Në “Dives in misericordia”, Shën Gjon Pali II shkruante: “Mëshira shfaqet në aspektin e saj të vërtetë e të plotë, kur rivlerëson, nxit dhe nxjerr të mirën nga të gjitha forcat e së keqes, që ekzistojnë në botë e në njeriun” (n.6). Mëshira biblike e shëron gradualisht dinjitetin e njeriut, të plagosur nga e keqja dhe rehabiliton të mirën. Dinjiteti është pjesë e natyrës së njeriut, falë gjurmës hyjnore, që i ka lënë Zoti, në çastin e krijimit. Burri e gruaja, krijuar sipas imazhit të Hyjit, e marrin si dhuratë lirinë dhe pavdekësinë, prandaj dinjiteti i njeriut nuk mund të përçudnohet e as të zhvlerësohet edhe në rastet kur ai kryen të keqen më të madhe.

Në Besëlidhjen e Vjetër, episodi i vrasjes së parë na tregon si vepron Zoti përballë njeriut mëkatar. Kaini e vret të vëllain Abelin, sepse e kishte zili e kështu, dhuna hyn në histori. Në dukje, Zoti nuk ndërhyn me ndonjë dënim, por Kainit do t’i duhet të lodhet më shumë për të siguruar jetesën e vet, sepse gjaku i Abelit e bën tokën të shterpët. Kaini punon, por toka nuk jep fryte e kështu, dënimi për mëkatin e tij do të jetë dështimi, poshtërimi, humbja dhe frika. Frikë, që shndërrohet në ankth, kur mendon se ndokush mund ta vrasë për t’u hakmarrë për Abelin. Por Zoti e mbron edhe atë, duke i vënë një shenjë në ballë, që askush të mos e prekë e, madje, kërcënon: “kushdo që ta vrasë Kainin, do të ndëshkohet shtatëfish!” (Zan 4,15). Një midrash i lashtë (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt) e përshkruan këtë shenjë si një tatuazh në krah. Zoti nuk dëshiron që njerëzit ta vendosin vetë drejtësinë, duke i shtuar vrasje vrasjes. Kjo shpjegohet më vonë, fare mirë, nga Shën Pali Apostull: “Mos u hakmerrni, o të dashur, po lini vend të veprojë hidhërimi i Hyjit, sepse është në Shkrimin e Shenjtë: ‘Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem, ’ thotë Zoti” (Rom 12,19). Hyji nuk ia bën jetën të lehtë Kainit, por i jep mundësinë të kthejë rrugë e të shpresojë në një të ardhme më të mirë.

         Historia e Kainit është paradigma e qëndrimit të drejtë, që duhet mbajtur para një fajtori, siç është i burgosuri. Njerëzit, në përgjithësi, e shohin atë me përbuzje e vështirë që ndokush të ndjejë mëshirë e dhembshuri për të, sepse konsiderohet se është dënuar me të drejtë për fajet e tij. Por Shën Gjon Pali II nënvizonte këndvështrimin e krishterë: “Nuk ka drejtësi pa falje” (Dita XXXV Botërore e Paqes, 2002). Me këto fjalë, donte të thoshte se falja nuk është alternativë e drejtësisë, por se drejtësia duhet të çojë drejt kuptimit të së mirës, që është e kundërt me të keqen.

         Bibla paraqet fatin e shumë skllevërve, ose të burgosurve, që u futën në burg padrejtësisht. E nganjëherë, kjo përvojë i përgatiti për dëshmi, që do të bëheshin të rëndësishme më vonë. Një midrash hebraik përshkruan se si mbreti Nimrod e mbylli Abrahamin në burg për një vit rresht, pa ujë e pa bukë. Në përfundim të vitit çoi kryerojen të merrte të burgosurin. Ky i tha se pas një viti në ato kushte, i burgosuri nuk ishte më gjallë, por mbreti iu përgjigj: “Meqë është Abrahami, nuk i dihet”. Më vonë, kryeroja e kuptoi përgjigjen e mbretit, kur e pa Abrahamin gjallë, sepse besonte se “s’ka gjë të pamundshme për Hyjin” (Lk 1,37).

         Jozefi u dënua padrejtësisht dhe e hodhën në burg, por Shpirti Shenjt e ndihmoi të interpretojë ëndrrën e faraonit e kështu, u bë mëkëmbësi i mbretit të Egjiptit.

         Edhe Jeremia profet u dënua me vdekje dhe u hodh në një çisternë me baltë, ku zhytej gjithnjë e më thellë, vetëm sepse profetizoi fundin e qytetit, ku ishte mbret Sedecia. Po kështu, Danieli u çua në burg, në mesin e luanëve, por aty njohu mbrojtjen e Zotit. I njëjti fat i takoi shën Gjon Pagëzuesit, futur në burg nga mbreti Herod, të cilit nuk i pëlqenin kritikat për jetën e tij të pandershme. Edhe Shën Pjetri u ndry në burg nga Herodi për t’u bërë qejfin judenjve, por u lirua nga engjëlli. Në Filipi u burgosën Pali e Sila, për të cilët u dhanë dëshmi të rreme, por Zoti ua hapi dyert e burgut. Vetë Jezu Krishti, i pafajshëm e i drejtë, u burgos, u sha dhe u pështy deri në kryqëzim.

         E pikërisht për këtë arsye, vizita tek të burgosurit ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ata kanë nevojë që ndokush t’i dëgjojë, pa i gjykuar për fajin e bërë (i cili më vonë mund edhe të mos rezultojë aspak faj, siç ka treguar shpesh historia), por duke i ndihmuar ta shohin të ardhmen në dritën e faljes së Krishtit, Ai vetë i burgosur i pafajshëm.

         Shpresa e ndihmon të burgosurin të shohë atë Jezus, që i pafajshëm dhe i drejtë, provoi në burg të njëjtën dhimbje, të njëjtin ankth, pikërisht Ai, që kishte ardhur me misionin “t’u shpallë robërve çlirimin… t’i lëshojë në liri të ndrydhurit, të shpallë vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18-19). Është e domosdoshme t’u kumtohet të burgosurve se Jezusi sheh njeriun e jo mëkatin e tij, sheh zemrën dhe e shlyen ligësinë e mëkatit, duke u dhënë mundësinë të shpëtojnë nga vargonjtë e së keqes. Zbatimi kësaj vepre të mëshirës duket e pamundur, sepse realiteti i burgut është larg jetës së përditshme të secilit prej nesh. Duhet guxim e durim. Por, i burgosur është edhe ai, që e mban zemrën pas hekurave të mëkatit e siç thotë Shën Pali, këta, për të cilët nuk kemi nevojë të kërkojmë leje në ndonjë zyrë, mund t’i vizitojmë kur të duam për t’i ndihmuar të çlirohen nga thonjtë e së keqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.