2016-11-10 13:34:00

Papa: krishterimi nuk është fe-spektakël e fishekzjarre


Duhet t’i shmangemi tundimit për ta kthyer fenë në spektakël, duke kërkuar gjithnjë zbulesa të reja të Zotit, si të ishin fishekzjarre: kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Mbretëria e Zotit, nënvizoi, rritet vetëm nëse e ruajmë shpresën në jetën e përditshme.

Mbretëria e Zotit nuk është fe e spektaklit

 Në Ungjillin e ditës, Jezusi u përgjigjet farisejve, të cilët e pyesin kur do të vijë Mbretëria e Hyjit. “Ka ardhur – u thotë – është në mesin tuaj!”. Është si një farë e vogël, që mbillet e rritet me kohë. Zoti e bën të rritet, por pa tërhequr vëmendjen:

“Mbretëria e Zotit nuk është fe e spektaklit: që gjithnjë kërkojmë gjëra të reja, zbulesa, mesazhe… Zoti ka folur në Jezu Krishtin: kjo është Fjala e fundit e Hyjit. Të tjerat janë si fishekzjarret, që ndriçojnë për një çast e pastaj, çfarë mbetet? Asgjë. Nuk ka rritje, nuk ka dritë, nuk ka asgjë: vetëm një çast. Sa herë tundohemi nga kjo fe e spektaklit, duke kërkuar gjëra të çuditshme në vend të zbulesës, të butësisë së Mbretërisë së Zotit, që është në mesin tonë e rritet. Por kjo nuk është shpresë, është dëshirë për të pasur diçka në dorë. Shpëtimi ynë na jepet përmes shpresës, asaj shprese që ka burri, i cili mbjell grurin, ose gruaja që përgatit bukën, duke përzier tharmin me miellin: shpresa që të vijë, të bymehet, të rritet pra. Përkundrazi, ky ndriçim artificial është i çastit e pastaj ikën, ashtu si fishekzjarret: nuk duhen për ndriçimin e shtëpisë. Është thjesht, spektakël, shfaqje”.

Të ruajmë shpresën

Por, ç’duhet të bëjmë, pyeti më tej Papa, ndërsa presim të vijë plotësisht Mbretëria e Zotit? Duhet të ruajmë gjithçka ka të bëjë me fenë e sidomos, të ruajmë e të mbajmë shpresën:

“Të ruajmë me durim. Durim në punë, në vuajtje… Të ruajmë, ashtu siç ruan njeriu, që ka mbjellë farën dhe tani, e ruan bimën e përpiqet të mos e lerë barin e keq pranë saj, në mënyrë që bima të rritet. Të ruajmë shpresën. E kjo është pyetja, që ju bëj sot: nëse Mbretëria e Zotit është mes nesh, nëse të gjithë e kemi këtë farë brenda, kemi aty Shpirtin Shenjt, si e ruajmë? Si e dalloj, si di ta dalloj bimën e mirë të grurit nga egjra? Mbretëria e Zotit rritet e ne ç’duhet të bëjmë? Ta ruajmë. Të rritemi në shpresë, ta ruajmë shpresën. Sepse me shpresë jemi shëlbuar. E ky është filli: shpresa është filli i historisë së shëlbimit. Shpresa për ta takuar Zotin një herë e përgjithmonë”.

Ta pyesim veten për shpresën tonë në Mbretërinë e Zotit

Kur kemi shpresë, theksoi Ati i Shenjtë, Mbretëria e Zotit bëhet më e fortë:

“Ta pyesim veten: ‘A kam shpresë? Apo shkoj përpara si mundem e nuk di ta ndaj të mirën nga e keqja, grurin nga egjra, dritën – dritën e butë të Shpirtit Shenjt – nga ky ndriçim artificial? Ta pyesim veten për shpresën tonë në këtë farë, që rritet brenda nesh e, për mënyrën si e ruajmë shpresën. Mbretëria e Zotit është mes nesh, por ne, përmes pushimit, punës, shoshitjes, duhet ta ruajmë shpresën në këtë Mbretëri që rritet, deri në çastin kur do të vijë Zoti e gjithçka do të shndërrohet. Në një çast: gjithçka! Bota, ne, gjithçka. E, siç u thotë Shën Pali të krishterëve të Selanikut, në atë çast do të rrimë të gjithë me Të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.