2016-11-10 15:59:00

Papa Françesku: uniteti i të krishterëve, kërkesë jetike e fesë


Papa Françesku priti sot në Sallën Klementine në Vatikan pjesëmarrësit e mbledhjes Plenare të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. “Uniteti i të krishterëve nuk toleron prozelitizmin”, që përfaqëson “një helm për udhëtimin ekumenik”. Bashkimi i të krishterëve nuk do të jetë kurrë fryt i “një ekumenizmi që ndërron mendje, që mendon të kthehet prapa, për t’i kërkuar ndokujt ta mohojë historinë e fesë së vet”. Kështu pohoi Papa Françesku i cili mendon se dialogu ekumenik ndërmjet të krishterëve me emërtime të ndryshme është “kërkesë thelbësore e fesë sonë”.

E Ati i Shenjtë Bergoglio është i vetëdijshëm se dialogu ekumenik për t’ia arritur unitetin ndërmjet të krishterëve është, akoma “më parë se cak, udhëtim, me tabelën e marshimit, me ritmet e veta, me ngadalësimet e përshpejtimet e veta, e madje edhe me ndalesat e veta”. “Duhet pasur mirë para sysh këtë, se gjatë udhës së dialogut ekumenik është e mundur  - shpjegoi Papa gjatë takimit me pjesëmarrësit e mbledhjes së Këshillit Papnor për bashkimin e të Krishterëve – të zbulohen e të nxirren në pah disa modele të rreme të bashkimit, që në realitet nuk çojnë në unitet por e kundërshtojnë atë vërtetë në esencë”. “Para së gjithash – tha Papa Françesku – bashkimi ndërmjet të krishterëve nuk është fryt i orvatjeve tona njerëzore a prodhim i ndërtuar nga diplomacia kishtare, por është dhuratë që vjen nga Lartë”. Ndërsa “traditat e ndryshme teologjike, liturgjike, shpirtërore e kanonike, që janë zhvilluar në botën e krishterë, janë një pasuri e jo kërcënim për unitetin e Kishës”.

“Ne njerëzit – vuri në pah Papa gjatë fjalimit drejtuar dikasterit të Vatikanit për dialogun ekumenik – nuk jemi në gjendje të ndërtojmë e të bëjmë bashkimin vetë, pa ndihmën e Zotit, as që mund t’i vendosim format e kohërat” e bashkimit. Atëherë, “cili është roli ynë? Çka duhet të bëjmë për të promovuar unitetin e të krishterëve? Detyra jonë është ajo e pritjes dhe pranimit të kësaj dhurate prej Zotit, e atë ta bëjmë të dukshme para të gjithëve”.

Sipas Papës Françesku, “uniteti i krishterëve si udhëtim kërkon pritje të durueshme, impenjim të pareshtur, qëndresë e mundim; nuk i anulon konfliktet e nuk i shlyen kundërshtitë, madje, nganjëherë na vë para rrezikut të moskuptimeve a keqkuptimeve të reja”. “Uniteti mund të pranohet vetëm nga ai që vendos të vihen udhës drejt një caku që sot mund të duket mjaft i largët”, vazhdoi Papa për të cilin, vërtetë, uniteti bëhet kështu një rrugëtim, për të kujtuar, pastaj, se kur ecim udhës së bashku, do të thotë se takohemi si vëllezër, se lutemi së bashku, se bashkëpunojmë së bashku në kumtimin e Ungjillit e në shërbimin e atyre që janë të fundmin e shoqërisë, atëherë ne veç jemi të bashkuar”. “Të gjitha divergjencat teologjike e kishtare që akoma i ndajnë të krishterët do të tejkalohen – përfundoi Papa – vetëm gjatë kësaj udhe, pa e ditur sot se si dhe kur, mirëpo jemi të bindur se bashkimi do të vijë sipas asaj që Shpirti Shenjt do të sugjerojë për të mirën e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.