2016-11-10 16:29:00

Jubileu: Papa takon të pastrehët, me mijëra në Vatikan për audiencën e nesërme.


Papa Françesku do të takojë nesër, një javë nga mbyllja e Vitit Jubilar të Mëshirës së Zotit, mijëra njerëz që janë të pastrehë nga mbarë Evropa në një audiencë në Sallën Nervi në Vatikan, në ditën e përkujtimit liturgjik të shën Martinit nga Turi, i famshëm pse ia dhuroi gjysmën e mantelit të vet një lypsari të varfër, kur ende ishte pagan e ushtar i Perandorisë Romake. Të shtunën në mbrëmje, për njerëzit e pastrehë do të ketë një mbrëmje të madhe lutjeje, të cilën do ta kryesojë kardinali Philippe Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit, në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Të dielën të pastrehët do të marrin pjesë në Meshën e kremtuar nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Pjesëmarrësit e këtij jubileu janë mbi tremijë persona, pa llogaritur ata të pastrehë që banojnë në Romë. Ideja a më mirë, dëshira për të kremtuar një Jubile të tillë, lindi nga pikërisht nga një takim i Papës, më 2014, me 200 njerëz pa strehë.

E në një Letër që Papa Françeskut i pati drejtuar kardinalit Dominik Duka, kryeipeshkëv i Pragës, të dërguarit papnor në Kremtimet solemne Eukaristike në Szombathely, në Hungari, me rastin e 1700-vjetorit të lindjes së Shën Martinit nga Turi, kujton se: “Shën Martini i Turit – shkruan Papa Françesku – me të drejtë mund të quhet ati i të varfërve”: e vërtetë, akoma kur nuk ishte i krishterë, “sillej si kandidat i denjë për Pagëzim në saje të veprave të tij të bamirësisë: u ndihmonte të sëmurëve që vuanin, u ndihmonte atyre që ishin në ngushticë e fatkeqësi, ushqente nevojtarët, vishte të zhveshurit, nuk ruante asgjë për vete nga pagesa ushtarake, përveç asaj që i shërbente për mbajtjen e përditshme. Qysh atëherë ishte dëgjues jo i shurdhët ndaj udhëzimeve të Ungjillit e nuk kujdesej për nesër” (Sulpicio Severo, Jeta Sh. Martinit, 2,8).

Papa Bergoglio evokon, në letër, atë ditë të acartë dimri të shekullit IV, kur Martini, ushtar i Perandorisë Romake në Galli, takoi te porta e qytetit në Amiens një të varfër të zhveshur që kot u lutej njerëzve të kishin mëshirë për te: të gjithë kalonin përtej pa u kujdesur e ndalur fare. Martini, përkundrazi, pati dhembshuri: me shpatë e ndau mantelin e vet përgjysmë, duke ia dhuruar të varfrit njërën pjesë. Papa Françesku – ta kujtojmë – u dhuron shpesh krerëve të Shteteve e të qeverive, që vijnë për vizitë në Vatikan, një medalje që paraqet gjestin e Shenjtit për të kujtuar nevojën e promovimit të të drejtave dhe të dinjitetit të të varfërve.

Martini – shkruan Papa Françesku – pasi u konvertua në fenë e krishterë, u bë “ushtar i palodhur i Krishtit” duke kumtuar e dëshmuar Ungjillin në vende evropiane. Për këtë, Papa Françesku uron që shembulli i shën Martini të mund të favorizojë, një vëmendje gjithnjë e më të madhe ndaj të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.