2016-11-09 14:21:00

Zbulohet në Irak një varr i përbashkët me 100 kufoma pa kokë


Tmerr i ri në Irak: ushtarët irakianë zbuluan një varr të përbashkët me 100 kufoma pa koka, në qytetin e Hammam Alil, 20 km larg Mosulit. Edhe një herë, kemi të bëjmë me një raprezalje mizore të të ashtuquajturit Shtet Islamik (Isis), i cili hakmerret kështu për problemet e vështirësitë, që po has në Mosul e në Raqqa të Sirisë. Ushtria e Bagdadit saktësoi se varri i përbashkët është hapur në kampusin e fakultetit të bujqësisë së qytetit. “Brenda pallatit të fakultetit të bujqësisë u zbulua një krim i ri: 100 trupa kryeprerë të qytetarëve, vrarë nga terroristët. Do të dërgohet një skuadër e veçantë për të bërë hetime rreth këtij krimi barbar”, lexohet në një komunikatë. Ka shumë mundësi që viktimat të kenë qenë civilë në ikje. Ndërkaq, si në Irak, ashtu edhe në Siri, Isis vazhdon të godasë popullsinë me autobomba e me atentate të të gjitha llojeve. Por, vijon edhe fushata ushtarake e forcave irakiane e kurde, të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar me në krye amerikanët. Pikërisht fitoret dhe avancimi i tyre ka shkaktuar acarimin e terroristëve, të cilët përgjigjen me armën e vetme, që dinë të përdorin: vrasjen pa dallim të civilëve.

(Lajm i botuar në gazetën vatikanase "L'Osservatore Romano")








All the contents on this site are copyrighted ©.