2016-11-08 13:01:00

I kushtohet Shën Terezës së Kalkutës Festivali XV i Muzikës dhe Artit Kishtar


I kushtohet Shenjtes së Vitit të Mëshirës, Nënë Terezës së Kalkutës Festivali XV ndërkombëtar i Muzikës dhe Artit Kishtar, në program nga 16 deri 21 nëntor. Kornizë tradicionale do të jenë Bazilikat Papnore dhe kisha të tjera romake, që do të mikpresin 800 artistë. E pranishme, tashmë prej vitesh, Wiener Philharmoniker e me të, dhe Kori e Orkestra e Teatrit la Scala të Milanos, nën drejtimin e Christoph Eschenbach. Janë 10, koncertet, me hymje të lirë.

“Kushtimi i këtij edicioni të Festivalit Nënë Terezës, ka një domethënie të madhe, e jo vetëm sepse Shenjtorja shqiptare ishte mishërim i mëshirës në shekullin e kaluar, e do të jetë edhe në shekujt që do të vijnë,  shpjegon kardinali Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës Papnore  të Shën Pjetrit, “por edhe pse Ajo e donte  fort muzikën”:

“Pak e dinë se Nënë Tereza këndonte mrekullisht bukur. E, ende në moshë të re, ishte këngëtarja më e mirë e korit të famullisë së saj, në Shkup; bashkë me të motrën, luante me shkathtësi në pianofortë e i binte edhe mandolinës. E madje mund të themi se diti të këndojë mrekullisht  mirë edhe në fushën e bamirësisë, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Sepse bamirësia e saj ishte aq delikate, aq e harmonishme, sa t’i përcillte botës një mesazh melodioz të jashtëzakonshëm”.

10, takimet, me 21 solistë e 7 drejtues orkestre do t’i lëshojnë vendin njëri-tjetrit nga 16 nëntori, kur do të nisë programi në Shën Pjetër, me Meshën  e Kurorëzimit K317 të Mozart, besuar japonezëve të Illuminart Philarmonic Orchestra, drejtuar nga Tomomi Nishimoto. Përsëri Mozart, më 18 nëntor, në Kishën e Shën Injacit, në Campo Marzio, me Meshën da Requiem, K626, besuar tri formacioneve korale gjermane e ruse, nën drejtimin e Leo Kraemer, për kujtim të viktimave të tërmetit në qendrën e Italisë.

Në program, sivjet, dy prani nga Vjena; këngëtarët e vegjël të famshëm të Wiener Sängerknaben dhe e shumëpritura Wiener Philharmoniker orchestra. Në formacion dhome, mbrëmjen e 19 nëntorit, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, do të mund të ndiqen dy interpretime të rralla: varianti i parë i Stabat Mater, nga Boccherini  dhe  Koncert për dy violina e orkestër në re minore BWV 1043, nga Bach. Në të njëjtën Bazilikë, mbrëmjen e 20 nëntorit,  ditë e mbylljes solemne të Jubileut të Mëshirës, do jetë radha e korit dhe orkestrës së Teatrit alla Scala të Milanos, me pjesë nga Puccini e Mozart, program i zgjedhur dhe i menduar për këtë rast, nga M°Christoph Eschenbach.

 

“Edhe muzika mund të ndihmojë për të krijuar unitet”, nënvizon akoma, në mikrofonin tonë, kardinali Angelo Komastri:

“Muzika jonë lind nga feja; është feja, që këndon; është kënga, që e ndihmon lutjen. Kur Evropa ishte e bashkuar me fenë, atëherë ishte Evropë! Sot lidhet vetëm me financën, prandaj edhe është e përçarë: nuk është më Evropë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.