2016-11-07 14:02:00

Papa: trafiku është krim kundër njerëzimit, jo bashkëfajsisë dhe indiferencës


“Trafiku i qenieve njerëzore është krim i vërtetë kundër njerëzimit”. Kështu u shpreh Papa, duke pritur, në Vatikan, rreth 130 anëtarë të “Renate”, Rrjet fetar evropian kundër trafikut dhe shfrytëzimit. “Renate” u mblodh këto ditë në Romë, në asamblenë e tij të dytë. Rrjeti u themelua nga rregulltare të angazhuara në luftën kundër trafikut. Anëtarët e tij bëjnë pjesë në Kongregata rregulltare dhe Shoqëri misionare. Ndërmjet tyre ka edhe laikë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Françesku i falënderoi të pranishmit për angazhimin në integrimin e viktimave dhe vërejti se duhen koordinuar më mirë përpjekjet nga ana e qeverive, autoriteteve gjyqësore dhe veprimtarëve shoqëror.

Trafiku i njerëzve, formë moderne e skllavërisë

Në fjalimin drejtuar rregulltareve të shumta, që angazhohen ditë për ditë për t’i ndihmuar viktimat e trafikut dhe të shfrytëzimit, Françesku preku menjëherë temën e tij shumë të dashur, për të cilën foli edhe pak ditë më parë, në takimin me Grupin e Shën Martës. Papa kërkon që të gjithë, në kohën e hirit të Jubileut, “si Samaritani i Mirë”, të sjellin balsamin  e mëshirës së Zotit  për t’i mjekuar plagët e shumta të botës sonë:

“Një nga më të dhimbshmet nga këto plagë të hapura, është trafiku i qenieve njerëzore, formë moderne e skllavërisë, që e dhunon dinjitetin, dhuratë e Zotit, të shumë motrave dhe vëllezërve tanë dhe është krim i vërtetë kundër njerëzimit”.

Duhet më shumë koordinim

Është bërë mjaft për njohjen e këtij fenomeni të rëndë, ndonës mbetet ende shumë për të bërë, për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe për koordinimin më të mirë nga ana qeverive, autoriteteve gjyqësore, ligjvënëse e veprimtarëve shoqëror - theksoi Françesku - e më pas, ndërmjet shumë sfidave, kujtoi indiferencën përballë një realiteti, me të cilin lidhen  interesa të fuqishme ekonomike:

“Siç e dini fare mirë, një nga sfidat në punën për sensibilizimin, edukimin e koordinimin, është një farë indiference, e deri bashkëpunimi, një farë prirjeje nga ana e shumë njerëzve, për ta kthyer kokën nga ana tjetër, ndërsa interesa të fuqishme ekonomike e rrjete kriminale vijojnë, të pashqetësuar, punën e tyre”.

Falënderimi i Papës Renate-s për shoqërimin e grave

Në përfundim të këtij takimi, Papa i falënderoi rregulltaret e Renates për shoqërimin e grave e të fëmijëve. Kujtoi edhe përpjekjet e mëdha, shpesh të heshtura, nga ana e kongregatave rregulltare, posaçërisht atyre femërore, për të shëruar dinjitetin e plagosur të njerëzve të trafikuar. U ndalua sidomos, tek kontributi i shquar i grave, për të shpëtuar gratë dhe fëmijët e tyre.  Për t’i shëruar. Për t’i rikthyer përsëri në radhët e shoqërisë.

Në përfundim Ati i Shenjtë shprehu besimin e tij për kontributin që do të sjellin këto ditë takimi e shkëmbimi të përvojës, për një dëshmi edhe më të frytshme të Ungjillit, në këtë, që Papa e quan “periferia më e madhe e shoqërisë sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.