2016-11-06 14:38:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: kërkoj një akt zemërbutësie për të burgosurit


Një akt zemërbutësie për të burgosurit. Këtë kërkoi Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pas Meshës kremtuar për Jubileun e të burgosurve. Papa ripohoi se drejtësia penale nuk mund të ketë vetëm përmasë ndëshkimore, por duhet të ngjallë edhe shpresa. Më pas, inkurajimi i Françeskut që Konferenca mbi klimën, në Marrakech, të ketë sukses.

“Të përmirësohen kushtet e jetesës në burgje, të respektohet plotësisht  dinjiteti njerëzor i të burgosurve!”. Kjo, thirrja e Papës Françesku në lutjen e  Engjëllit të Tënzot të së dielës, kushtuar Jubileut të të burgosurve.

Në Vitin e Mëshirës, një akt zemërbutësie për të burgosurit

Papa deshi të pohojë përsëri rëndësinë e reflektimit mbi nevojat e një drejtësie penale, që nuk është thjesht ndëshkuese, por që i hap rrugën edhe shpresës e perspektivës për ta ripranuar fajtorin në radhët e shoqërisë:

“Në mënyrë të veçantë parashtroj për shqyrtim përpara Autoriteteve kompetente civile të çdo vendi, mundësinë për të kryer, në këtë Vit Shenjt të Mëshirës, një akt zemërbutësie për ata të burgosur, që do të jenë të përshtatshëm të përfitojnë nga një masë e tillë”.

Mbështetje Konferencës së Marrakech-it për klimën

Pas fjalëve kushtuar të burgosurve, Papa kujtoi se këto ditë hyri në fuqi Marrëveshja e Parisit për klimën dhe pohoi edhe një herë se ekonomia duhet vënë në shërbim  të njerëzve, të paqes e të drejtësisë. Më pas pohoi se e mbështet Konferencën e re mbi klimën, që mbahet në Marrakech të Marokut e që synon pikërisht vënien në jetë të kësaj Marrëveshjeje:

“Uroj që i gjithë ky proces të udhëhiqet nga vetëdija e përgjegjësisë për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët”.

E më pas, Papa Françesku kujtoi edhe 38 martirët shqiptarë lumnuar dje në katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër.

Pa Parrizin e Ngjalljes, krishterimi  do të reduktohej në etikë

Duke kometuar Ungjillin e sotëm, Françesku u ndal posaçërisht tek e vërteta e ngjalljes. Në këtë botë - vijoi - jetojmë realitete të përkohshme, që mbarojnë, ndërsa pas ringjalljes, do të jetojmë gjithçka, edhe martesën, në mënyrë të shndërruar; e gjithçka do të shkëlqejë e shndërruar në dritën e plotë  të bashkimit të lum me Shenjtorët e Parrizit”.

Ringjallja është themeli  i fesë së krishterë! Nëse nuk do të ishte kujtimi i Parrizit dhe i jetës së amshuar, krishterimi do të reduktohej në etikë a në filozofi jete. Ndërsa mesazhi i fesë së krishterë vjen nga qielli, është zbuluar nga Zoti e shkon përtej kësaj bote. Të besosh në ringjalljen është themelore, që çdo akt i dashurisë sonë të krishterë të mos jetë kalimtar e qëllim në vetvete, por të bëhet farë e paracaktuar të mbijë, të rritet në kopshtin e Zotit e të prodhojë fryte të begata jete të pasosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.