2016-11-06 12:35:00

Jubileu i të burgosurve e të burgosurit e Shqipërisë komuniste


U kremtua sot në Vatikan, Jubileu i të burgosurve. Përkim i çuditshëm me një kremtim tjetër: me lartimin e 38 të burgosurve të djeshëm shqiptarë në Shkodër, në nderimet e elterit! Ka të burgosur e të burgosur, në këtë botë. Ata i burgosën vetëm pse besonin në Krishtin. E i pushkatuan pa mëshirë, vetëm pse ofronin mëshirën hyjnore. Niseshin drejt vdekjes me këngë të përshpirtshme në gojë. Si të burgosurit e sotëm, që Papa i priti vëllazërisht në Sheshin e madh, të ndritshëm, për t’i përqafuar me dashuri, me besimin se do të mund të ndërrojnë jetë. Ndërsa Martirët i pushkatuan pikërisht sepse ishin të aftë t’i ndihmonin njerëzit për të ndërruar jetë, për t’u bërë më të mirë, e më të lirë sidomos, kasnecë të dritës edhe në mbretërinë e territ. Shkruan Prof. Arshi Pipa: “ ...në kjoftë se kam shpetue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohëm lutjeve të njerëzve si, Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në vendosjen e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën (“Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993). Ata ishin të burgosur, që ndikonin mbi jetën e njerëzve, aq sa t’i shndërronin, duke u prirë nga rruga e vdekjes, në atë të Jetës. ..

që të mos ishin “ujq të veshun me lëkurë kingji

as vorr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.

(Atë Meshkalla, Lutje).

Të sotmit janë të burgosur, që e kërkojnë Mëshirën hyjnore; të djeshmit,  e ofronin këtë Mëshirë. Prandaj Jubileu i sotëm nuk mund të mos na kujtojë, në këto ditë feste, të burgosurit e djeshëm të Shqipërisë komuniste, ku 91 gra u pushkatuan vetëm si kundërshtare të diktaturës. Ku një prej tyre, e Lumja Maria Tuci, provoi tortura që kujtohen vetëm në analet e lashta të mizorive më të tmerrshme njerëzore. Ku 445 të tjera u vunë në pranga. Ku qelitë e burgjeve komuniste ishin shkolla të vërteta të torturës: kontribut për të gjithë ato vende, që e humbasin lirinë e i zhdukin pikërisht bijtë e vet më të mirë.

Na i kujtoi të burgosurit e të gjitha kohëve, pritja që Papa, si Atë i mirë e i mëshirshëm, u bëri, në prag të mbylljes së Jubileut të Mëshirës, të burgosurve në Sheshin e Shën Pjetrit. Nga Shën Pjetri - në burgjet shqiptare të diktaturës - përfytyrimi ynë i pa sot, në radhë të gjata, ata që kaluan ferrin e burgjeve komuniste, në një Shesh tjetër, të amshuar, larë me Dritë. Sidomos në këto ditë, kur të burgosurit e djeshëm në burgjet e tmerrshme komuniste, u shndërruan në të Lumët e sotëm.  








All the contents on this site are copyrighted ©.