Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do
të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së
32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Pas kremtimit të Solemnitetit të të Gjithë Shenjtërve e Përkujtimit Besimtarëve të
vdekur, në dy ditët e para të nëntorit, këtë të diele Liturgjia Hyjnore na fton të
reflektojmë akoma mbi realitetet e fundit të ekzistencës sonë njerëzore, e në mënyrë
të veçantë mbi ringjalljen përfundimtare të trupit tonë, mbi ringjalljen e mishit,
siç recitojmë dhe rrëfejmë në Besojmën e Meshës.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 32-të, mund të dëgjoni këtu.....
Leximet biblike të kësaj së diele, na ftojnë e na ndihmojnë të meditojmë, të shpresojmë
e të hyjmë në misterin e jetës përtej vdekjes. Njëra prej lutjeve për të vdekurit
që na ofron Meshari Romak na kujton se: “Jeta nuk na është marrë, por është shndërruar”.
Fjala e Zotit e kësaj së diele të 32-të gjatë vitit Kishtar, na paraqet këtë mister
e na ndihmon ta jetojmë e vështrojmë në dritën e fesë: “Hyji nuk është Hyj i të vdekurve,
por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë”.
E kështu propozimi i temës së ringjalljes është më vend, sepse nga ajo që besojmë
se na pret pas vdekjes sonë, varët kuptimi i jetës së tanishme, orientimi që duhet
t’i japim asaj, sjelljet që duhet ti kemi e veprat që duhet ti bëjmë.
Fjala e Zotit e kësaj së diele e projekton mbarimin e jetës njerëzore në perspektivën
e Amshimit në Hyjin, përgatitur për të gjithë ata që e dëgjojnë Fjalën e Zotit dhe
jetojnë sipas vullnetit të Tij Hyjnor. Pra, tema që trajtojnë leximet biblike është
pikërisht pra ringjallja e njeriut. Feja në ringjallje lidhet ngushtë me fenë në Hyjin
e me botëkuptimin që kemi për të. Hyji në të cilin ne të krishterët besojmë është
Hyji i të gjallëve e jo i të vdekurve.
Në pjesën e Ungjillit, Jezusi duke u përgjigjur në pyetje të saducenjve, që nuk besonin
në ringjalljen e të vdekurve, na mëson dy gjëra: ndryshimin midis “kësaj bote” e “botës
tjetër dhe ringjalljes së të vdekurve”. Pastaj Jezusi flet për Abrahamin, Izakun e
Jakobin e pohon: “Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë
për Të jetojnë”. Pra njeriu është krijuar nga Hyji për të jetuar përgjithmonë, edhe
përtej vdekjes.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 2 Mak 7, 1-2.9-14
Populli i Izraelit përndiqet për shkak të besimit të vet, por ky besim do të bëhet
më i fortë dhe më i thellë nëpërmjet provës. Mund të besojnë në ringjalljen vetëm
ata që janë të aftë të japin jetën e tyre. Vëllezërit makabenj përballë vdekjes dhurojnë
jetën e tyre, sepse e dinë se do marrin si dhuratë nga Zoti ringjalljen. Për herë
të parë është zbuluar e vërteta e ringjalljes së trupave me çmimin ndaj të drejtëve
dhe dënimin ndaj të këqijve.
Lexim prej Librit të dytë të Makabenjve
Në ato ditë, ndodhi që të kapen edhe shtatë vëllezër së bashku me nënën e tyre, të
cilët mbreti, duke i rrahur me frushkuj e dej qesh, donte t’i shtrëngonte të hanë
mishin e thiut, të ndaluar izraelasve. Njëri prej tyre e mori fjalën në emër të tyre
e tha: “Çka do të kërkosh e çka dëshiron të mësosh nga ne? Jemi të gatshëm të vdesim
më parë se t’i shkelim ligjet e të parëve tanë!”
Atëherë mbreti, i hidhëruar, urdhëroi që ky të vritet. Pastaj e vunë në mundime të
dytin. Ndërsa ky po lëshonte ofshamën e fundit, tha: “Ti, o i pashpirt, mbi të pashpirt,
po na e merr jetën e tashme, por Mbreti i botës e di se po vdesim për ligjet e Tij,
do të na ngjallë për jetën e pasosur.”
Pas këtij e munduan të tretin. Kur kërkuan, vrik e qiti gjuhën dhe trimërisht i shtriu
duart e foli me zë të lartë: “Këto gjymtyrë i kam prej qiellit, e, për shkak të ligjeve
të tija, i përbuz, por shpresoj se prej Tij do t’i fitoj përsëri.” Kështu, mbreti,
dhe ata që ishin me të, mbetën të habitur për guximin e djaloshit sesi i bënte në
asgjë mundimet.
Mbasi ky dha shpirt në këtë mënyrë, nisën ta copëtojnë edhe të katërtin në të njëjtat
mundime. Kur ishte në grahmat e fundit të vdekjes, tha kështu: “Është gjë e mirë të
vdiqët nga dora e njerëzve me shpresë të gjallë në Hyjin se do të ngjallemi përsëri!
Por, ti nuk do të ngjallesh për jetën e pasosur!” Fjala e Zotit.
Psalmi 17
Të thërras në ndihmë, o Zot, ti më vështro
----- ----- ----- -----
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,
vështroje lutjen time.
Vëri vesh lutjes sime
që del nga buzët joshtiracake.
----- ----- ----- -----
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua,
që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj,
e më vështro,
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia.
----- ----- ----- -----
Më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
e unë në pafajësi do ta shikoj
fytyrën tënde,
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
----- ----- ----- -----
Leximi i dytë 2 Sel 2, 16 – 3, 5
Apostulli Pali nxit të krishterët selanikas të ecin në lutje dhe në vigjilencë,
në qartësinë se janë të mbrojtur nga Zoti. Nëse shumë njerëz janë të këqij kjo ndodh
sepse mungon ndoshta një “shpresë e amshuar”. Bashkësitë tona të krishtera duhet të
jenë far që shpërndan Fjalën e Hyjit. Besimi nuk është i të gjithëve, dhe secili është
i lirë ta pranojë apo ta refuzojë. Por përgjegjësia jonë është t’ua propozojmë të
gjithëve.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, vetë Zoti ynë Jezu Krishti dhe Hyji, Ati ynë, që na dëftoi dashuri dhe na
dhuroi me anë të hirit të vet ngushëllimin e amshuar dhe shpresën e lume, Ai i ngushëlloftë
zemrat tuaja dhe i forcoftë në çdo vepër dhe fjalë të mirë.
Mandej, o vëllezër, lutuni për ne që fjala e Zotit të vrapojë e të nderohet porsi
ndër ju dhe që të shpëtojmë prej njerëzve të mbrapshtë dhe të këqij: sepse të gjithë
nuk kanë fe! Por Hyji është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i
keqi.
Ne jemi plotësisht të bindur në Zotin se ju i zbatoni porositë tona dhe se do t’i
zbatoni. Vetë Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në dashurinë e Hyjit dhe në qëndrueshmërinë
e Krishtit! Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Unë jam ringjallja dhe jeta, thotë Zoti;
kush beson në mua edhe nëse vdes do ta ketë jetën. Aleluja.
Ungjilli Lk 20, 27-38
Jezusi pohon me forcë se ringjallja e të vdekurve është vepër e Hyjit dhe nuk mund
të vlerësohet me kritere njerëzore.
Për Jezusin prova më e mirë për ringjalljen e trupave është besëlidhja që Hyji ka
vendosur me patriarkët. Hyji nuk do të kishte humbur kohën e tij për të jetuar me
njerëz të dënuar për tu zhdukur përgjithmonë. Nëse Hyji bën besëlidhje me ne, të vdekshmit,
e bën pikërisht sepse mendon të angazhohet përgjithmonë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen
të vdekurit. Ata i bënë këtë pyetje: “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i
vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i
lindë trashëgimtarë. Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë.
Edhe i dyti edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatë nuk lanë fëmijë e
vdiqën. Në fund vdiq edhe gruaja. Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e të cilit
do të jetë, sepse të shtatë e patën grua?”
Jezusi u përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që e gjetën
të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra
as s’marrin burra. Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se
e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit. E se të vdekurit do të ringjallen,
vetë Moisiu e shënoi në fragmenti mbi kaçubën, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit,
Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit’. Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve,
sepse të gjithë për të jetojnë.” Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 32-të, mund të dëgjoni
këtu.....
All the contents on this site are copyrighted ©. |