2016-11-05 00:00:00

Jubileu i të burgosurve: një mijë të burgosur në Shën Pjetër me Papën


Këtë të diele, në Shën Pjetër ne Vatikan, kremtohet “Jubileu i të burgosurve”. Ndërsa më 13 nëntor do të jetë çasti i “Personave të mënjanuar nga shoqëria”. Këtë ditë do të mbyllen edhe Portat Shenjte në të gjitha dioqezat e botës, nësa afrohet dhe kremtimi përfundimtar i 20 nëntorit. Të dyja ngjarjet u paraqitën në Sallën vatikanase të Shtypit nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, që siguron: “Jubileu nuk ishte flop”, domethënë, dështim.

Papa Françesku interesohet fort për të burgosurit. E dëshmon Mesha e Darkës së Mbrame në burgun e të miturve të Casal del Marmo, vizita ndër burgjet e SHBA-së, Bolivisë, Meksikës, lidhjet e vazhdueshme telefonike me të dënuarit me vdekje në vende të ndryshme të botës. E dëshmon edhe vetë letra e vënies në jetë të programit jubilar, në të cilin çdo prag qelie bëhet një Portë e Mëshirës, nëse të burgosurit që e kapërcejnë ia drejtojnë mendje e zemër Atit të Mëshirshëm, sepse mëshira e Atit është në gjendje ta shndërrojë burgun në përvojë të lirisë. Shpjegon imzot Fisichella:

“Papa Françesku, në disa intervista, përdor shprehjen: ‘E pyes shpesh veten, kur vizitoj burgjet, si ndodhi që u ra atyre mbi kokë kjo fatkeqësi, e cila mund të më kish rënë për hise edhe mua’. Besoj se është ky, kuptimi i pjesëmarrjes në atë, që mund ta quajmë 'fati i njeriut'. Prej këndej më duket se afërsia e Françeskut varet edhe nga njohja e situatave, në të cilat shpesh dinjiteti i njeriut shkelet aq, sa  nuk mund të mbartë më".

Për Jubileun e të burgosurve, që të diel paradite do të kremtohet në shumë dioqeza të botës, në Shën Pjetër do të jenë të pranishëm 4 mijë njerëz, ndërmjet të cilëve, natyrisht, të burgosur, ish të burgosur, familjarë, veprimtarë, kapelanë e policë burgjesh, ardhur nga 12 vende të botës. Njëmijë, të burgosurit, që  vijojnë të vuajnë dënimin, 35 të ardhur nga Spanja, pjesa tjetër, nga burgjet italiane. Në Meshën e kryesuar nga Papa në Bazilikë, do të jenë të pranishëm të burgosur të të gjitha kategorive.

Më 13 nëntor, pastaj, do të jetë çasti kremtor i Jubileut të të mënjanuarve nga shoqëria për shkaqe nga më të ndryshmet: për shkak të mungesave ekonomike, sëmundjes, vetmisë, këputjes së lidhjeve familjare. Do të jenë 7 mijë vetë në Shën Pjetër, pikërisht në ditën kur do të mbyllen Portat Shenjte të Mëshirës në të gjitha Kishat dhe Shenjtëroret e botës. Kremtimi do të paraprihet nga një mbrëmësore lutjesh, që do të kremtohet më 12 nëntor, në Bazilikën e Shën Palit, si dhe një Koncert, në Sallën e Palit VI, të Mjeshtrit Ennio Morricone. Përsëri imzot Fisichella:

“Kremtimi jubilar në Shën Pjetër me gjithë të përjashtuarit nga shoqëria, ka për qëllim t’i kujtojë Kishës fjalët e Jezusit: ‘Të varfërit i keni gjithnjë mes jush’. Prandaj mbyllja e Portës Shenjte nuk shënon fundin e angazhimit të Kishës,  por tregon se drita e Jubileut të jetuar, e fuqizon më tej dëshminë”.

Me mbylljen Vitit Shenjt më 20 nëntor do të jetë rasti - pohon imzot Fisichella – për një çast reflektimi përfundimtar, për të parë nëse synimet dhe shpresat e Jubileut u arritën e edhe për të vlerësuar kufizimet, që mund ta kenë penguar suksesin e tij të plotë. Sigurisht numri i shtegtarëve qe tejet i madh, gati 20 milionë deri më 30 tetor, gjë që përgënjeshtron zërat pa themel të atyre, të cilët mendojnë se Jubileu ishte nën nivelin e duhur.








All the contents on this site are copyrighted ©.