2016-11-03 11:25:00

Papa i telefonon ipeshkvit të Norcia-s: pranë të dëmtuarve nga tërmeti


Gjest i ri i Papës për të dëmtuarit nga tërmeti. “U çoj afërsinë time, lutjen  time, bekimin tim të gjithë njerëzve të Norcia-s e të Valnerin-ës”- tha Papa në një bisedë telefonike me kryeipeshkvin e Spoleto-Norcia-s, imzot Renato Boccardo. “Jam shumë i hidhëruar për trashëgiminë e fesë, që po humbet”, vijoi akoma Papa. E ndoqa, nga Skandinavia, këtë tragjedi të re të njerëzve tuaj e u luta për ju” - vijoi Françesku. Imzot Boccardo i foli Papës për njerëzit e tij, të vënë në këtë provë të rëndë, tejet të shqetësuar për ardhmërinë e tyre. E Françesku u përgjigj: “Duhen inkurajuar njerëzit, duhen mbështetur, që ta shikojnë me optimizën të  ardhmen”. Më pas Papa e porositi ipeshkvin: “Rrini pranë njerëzve, që të mos e humbasin shpresën edhe për të vijuar të jetojnë në trojet e tyre”.

Në zonën e dëmtuar nga tërmeti, në Qendër të Italisë, numërohen mbi 200 mijë banesa të dëmtuara dhe rreth 22 mijë të shpërngulur, të asistuar. “Duam të rrimë këtu e të ushqejmë thirrje të reja” - thotë atë Benedetto Nivakoff, zëvendës-drejtor i Abacisë benediktine të Norcia-s, duke folur në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Shpresa riniset gjithnjë nga Krishti, jo nga rrënojat, por nga themelet shpirtërore. Jeta murgare e, si pasojë, jeta e të gjithëve, duhet t’i ketë themelet në shtegtimin drejt Parajsës, në udhën shpirtërore… Jo se ndërtesat nuk kanë pikë rëndësie, madje janë tepër të rëndësishme, por çaste të tilla na sjellin në mendje gjëra edhe më të rëndësishme.   








All the contents on this site are copyrighted ©.