2016-11-02 10:43:00

Meditim mbi kuptimin e vdekjes në ditën e përkujtimit të të vdekurve!


Në ditën e 2 nëntorit, përkujtimi i të vdekurve me vizitën e varrezave e lutjen drejtuar Zotit për shpirtin e të të vdekurve, na fton ta përqendrojmë vëmendjen tonë mbi kuptimin e jetës e ta shikojmë vdekjen si udhë që na çon te njësimi më Zotin përjetësisht. 

Kështu pra, më 2 nëntori, jemi para një përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja?

Vdekja sot është bërë fjala më e padëshirueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet menduar për të. Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë mitin e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që e përjashton plakjen e vdekjen.

Në realitetin e shoqërisë bashkëkohore, ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut që i afrohet cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë shtegtim të mbram, tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë herë vdes në shtëpi të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset ndër strukturat shëndetësore, në vetmi të plotë! Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur.

E në këtë ditë përkujtimore, Kisha na kujton se vdekja nuk është fjala e fundit, sepse njeriu është paracaktuar për një jetë të pa kufi, të përjetshme, që ka rrënjët e veta dhe plotësimin e vet në Hyjin. E në këto ditë të para të nëntorit, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit! Nder vorre!

Po shkoj sot ndër vorre, Jezus,

s’është vend i këndshëm, e di,

më rrënqeth ky vend i heshtur,

ky vend ku ka veç zi.

 

E zëri i tmerrshëm i vdekjes

frymon këtu nga çdo plasë,

pëshpërit nga çdo gëmushë,

nga çdo kurorë e çdo rrasë.

 

Po shkoj për njerëzit që më deshën,

që ishin, por që shkuan,

po shkoj t’u shpreh mirënjohjen

për gjithçka më dhuruan.

 

Mirënjohje për kë më dha jetën,

për kë më dha bujarinë,

mirënjohje për kë më fali fenë,

për kë m’ dha për ditë dashurinë.

 

Një krah më dha, ku u mbështeta,

një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta,

më mësoi Lajmin e mirë,

ku gjeta shpresë e hir.

 

Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time.

Po shkoj t’u përsëris se besoj,

në atë jetë mbi të cilën vdekja

askurrë nuk triumfoi.

 

Se nuk është sëmundja, as morti

që fjalën e fundit e thonë.

Jo unë nuk mund të besoj

se i humba përgjithmonë.

 

Po shkoj t’u çoj një lule

simbol bukurie që duhet.

Po shkoj të ndez një qiri

simbol i zjarrit që s’ shuhet.

 

Po shkoj të prek një fytyrë

mes kryqave pa fund,

po shkoj të të takoj Ty,

Jezus që vdekjen mund








All the contents on this site are copyrighted ©.