2016-11-02 17:28:00

Atë Mario Imperatori: Atë Daniel Dajani, jezuit i madh e modest, martir


Një nderim e vlerësim për Atë Daniel Dajanin S.J., nga Blinishti, jezuit i madh e  i thjeshtë, njëri nga 38 martirët e Kishës katolike të Shqipërisë dhe njëri nga ata që ka mbrojtur fenë e krishterë dhe atdhedashurinë gjatë komunizmit ateist, duke dhënë jetën për Zot e Atdhe, në fjalën e atë Mario Imperatorit, drejtor i Institutit filozofiko teologjik në Shkodër. 

Ate Daniel Dajani, lindi më 2 dhjetor 1906 në Blinisht të Zadrimës. Në shpirtin e Danielit të vogël, por dhe më vonë në moshë të rritur, do të mbetnin të pashlyera gjurmët dhe shembujt e lartë që jepnin meshtarët e kësaj treve, bij të Zadrimës, ose që punuan aty, e kishin bërë emër në Shqipëri. Ai do të kujtonte me mall ceremoninë aq të bukur të krezmimit të tij, ku mori pjesë ipeshkvi popullor i dioqezës së Sapës, Imzot Gjegj Koleci; predikimet me vlerë të Imzot Gjergj Volajt, fjalët dhe shkrimet e Imzot Vinçenc Prennushit, të cilit populli i Zadrimës, ngase e deshi dhe e nderoi shumë, në ditën e ardhjes së tij, rrugën që bëri në këmbë deri te famullia, ia shtroi me gjeth e lule. Këtë pritje kaq të përzemërt, Prennushi poet do ta përjetësojë me vëllimin e bukur poetik, të titulluar "Gjeth e lule".
Duke u dalluar kështu ai tërhoqi vëmendjen e shumë kujt, por njeriu i cili e vuri në rrugë të jetës ishte miku i shtëpisë, Dom Ndue Suma, i cili, pasi mori miratimin e bekimin e së emës, e solli vogëlushin në famullinë e tij, në Laç të Vaut të Dejës. Kështu, nisi kështu një jetë e re për Danielin e urtë, që, ndonëse i mitur, e dëgjonte me vëmendje atin shpirtëror të tij, duke mësuar mirë e duke u sjellë tamam siç i kishte hije një meshtari të ardhshëm. Pas pak Danielin do ta çojnë në Shkodër, të vazhdojë studimet në Seminar Papnor. Dhe këtu ai u dallua si nxënës dhe student shumë i mirë, studiues, këmbëngulës për të fituar dije e kulturë e, mbi të gjitha, njeri shumë i lidhur me Zotin.
Në seminarin e jezuitëve studion nëntë vjet. Pastaj do t'i lërë lamtumirën Zadrimës dhe Shkodrës së tij të dashur për të shkuar për studime të larta në qendrat më në zë të Italisë.
Ishte njëzet vjeç kur do të largohej me mall nga nëna e tij e robëtuar dhe nga të afërmit e shokët, tamam ashtu siç thotë dom Ndré Mjedja zëëmbël:
"Lamtumirë, o mori Shkodër / Lamtumirë, o ti Cukal, / Zhduket Buna nën një kodër, / Zhduket Drini nën një mal"
Dhe vijnë me radhë Gorizia, Chieri (Torino) ku ai studion me ndërprerje për dhjetë vjet të tjera për letërsi, filozofi, teologji, duke u pajisur kështu me një kulturë të shëndoshë. Kudo me rezultate të shkëlqyera, me meritime nga më të lartat.
Më 1936 për disa kohë është në Shqipëri. Tani për një moment shumë të shënuar të jetës së tij. Do të shugurohet meshtar. Me një ndjenjë të thellë besimi e devocioni ndaj të lumit Jezu Krisht, Dajani thotë meshën e parë në fshatin e tij të lindjes, në atë vend për të cilin ruante shumë kujtime. Kujtime dhe mall. Ndër njerëzit më të dashur të Dajanit, Meshën e tij të parë do ta ndiqte me zemër që i dridhej edhe nëna e tij e vuajtur, që, duke u hedhur në vorbullën e kujtimeve, më tepër të hidhura sa të ëmbla, asaj gruaje aq fisnike do t'i rridhnin lotët për faqe. Si zemër nëne që ishte mund t'ia parandiente shpirti se ai meshtar aq i devotshëm që i kushtohej Jezu Krishtit, pak vite më vonë nuk do të ishte më... Ndoshta...Siç ishte zakoni, në atë ditë të bukur e të shënuar, para se të shkëputej përfundimisht nga familja, Danielit iu bë "dasma" me miq e dashamirë, ku morën pjesë dhe të gjithë famullitarët e zonës. Me këtë rast iu mblodhën edhe "dhurata të dasmës" (mbuloje tryezash, strajca, peshqirë etj.). Tregojnë që, nësa Danieli po i mblidhte ato gjëra që i kishin dhuruar, e ëma i tha: "Lëria kunatës një strajcë si kujtim". Dhe ai iu përgjigj: "Jo, nënë! Ne nuk kemi shtëpi as pasuri tonën, të gjitha do t’i dërgoj te shokët, në Kolegjin ku është shtëpia ime".
Për aftësi shkencore dhe devocionin e tij, jezuitët e emërojnë profesor në Kolegjin Saverian, një gjë kjo jo e zakontë për atë kohë. Të jepje mësim në atë shkollë me aq tradita, pranë atyre profesorëve-dijetarë, për një njeri si Danieli, në një moshë relativisht të re, nuk qe gjë e vogël. Por Dajani e meritonte këtë. Ai dha për sa vite lëndë të rëndësishme, si: gjuhë shqipe, latinisht, filozofi etj. Kryesisht, qe i talentuar në matematikë e oratori. Në këtë vatër të rëndësishme dijeje ai arriti të bëhet deri Rektor i Seminarit Papnor. Ende sot, ndonëse kanë kaluar shumë vite, në kujtimet e atyre që e njohën për së afërmi, mbetet e gjallë figura e Atë Dajanit, profesorit të ditur dhe të dashur, të matur dhe gojëmbël. Ky njeri i mrekullueshëm nuk qe vetëm profesor dhe edukator i zoti e i nderuar. Ai ishte edhe dijetar i shquar. Për disa vite drejtoi revistën "Lajmëtari i Zemrës s'ë Jezu Krishtit", një revistë që kishte bërë emër në atë kohë. Në periudhën që e drejtonte, revista u ngrit në një shkallë më të lartë, duke u plotësuar dhe zgjeruar me rubrika të reja dhe interesante.
2.12.1906 - Lindi në Blinisht të Zadrimës.
Nxënës për 9 vjet në Seminarin Papnor të Shkodrës.
8.7.1926- Hyn në noviciat në Goricia.
1929-30 Bën studime për letërsi pranë Jezuitëve në Goricia.
1931-33 Studion filozofi në Kieri (Torino).
1934-35 Eshtë në Shkodër si magistër e si zëvendës drejtori i nxënësve të Seminarit, prefekt i një klase, si mësues i latinishtes.
1936-39 Në Kieri për studime teologjike.
1940 Në Shkodër, si profesor i gjuhës shqipe dhe i matematikës në disa klasë së Seminarit. - është edhe drejtor i revistës "Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit".
1941- Në Firence për vitin e tretë të probacionit.
1941- Kthen në Shqipëri: si pjesëmarrës i Misionit shetitës dhe si Atë shpirtëror i seminaristëve
1941- Me të njëjtat detyra, por edhe Ministër i studentëve dhe prokurator i Misionit shëtitës edhe profesor i filozofisë. Në muajin shtator emërohet Rektor i Seminarit Papnor
31.12.1945 Arrestohet
4.3.1946 Pushaktohet së bashku me P. Faustin dhe të tjerë.
28.2.1993 Iu dha titulli ”Martir i Demokracisë" në ceremoninë e organizueme për këtë qëllim në Shkodër.

05.11.2016 Shpallet i Lum në Shkodër.








All the contents on this site are copyrighted ©.