2016-11-01 13:21:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: katolikët suedezë të jenë kripë e dritë, respektues e solidarë


Pas Meshës në Malmö, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në përfundim të këtij kremtimi - kujtoi para lutjes mariane - dëshiroj të falënderoj imzot Anders Arborelius, Ipeshkëv i Stokholmit, për fjalët e tij të njerëzishme; autoritetet, për angazhimin e tyre si dhe të gjithë ata që morën pjesë në përgatitjen dhe realizimin e kësaj vizite.

Përshëndes përzemërsisht Presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të  Federatës Luterane Botërore dhe Kryipeshkvin e Kishës së Suedisë. Përshëndes anëtarët e delegacioneve ekumenike dhe Trupin Diplomatik, të pranishëm për këtë rast; e edhe të gjithë ata, që u bashkuan me ne në këtë kremtim Eukaristik.

E falënderoj Zotin, i cili më dha mundësinë të vij në këtë tokë e të takohem me ju, që erdhët me shumicë edhe nga të katër anët e botës. Si katolikë bëjmë pjesë në një familje të madhe, të mbështetur nga i njëjti bashkim. Ju inkurajoj ta jetoni fenë tuaj me lutje, me sakramente e me shërbim bujar ndaj nevojtarëve e të vuajturve. Ju nxis të jeni kripë e dritë në rrethanat ku  kaloni jetën, me mënyrën si jeni e si jetoni, sipas stilit të Jezusit, me respekt e solidaritet të madh ndaj vëllezërve e motrave të kishave e bashkësive të tjera të krishtera  e të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Në jetën tonë nuk jemi vetëm. Na ndihmon e na shoqëron gjithnjë Virgjëra Mari, që sot na paraqitet si e para ndër Shenjtorë, dishepulle e parë e Zotit. Ta lëshojmë veten në krahët e saj e t’ia paraqesim dhimbjet e gëzimet tona, druajtjet e dëshirat. Ta vëmë gjithçka nën mbrojtjen e saj, me sigurinë se na shikon e kujdeset për ne me dashuri amtare.

Të dashur vëllezër, ju kërkoj të mos harroni të luteni për mua. Edhe ju do të jeni të pranishëm në lutjen time!








All the contents on this site are copyrighted ©.