2016-10-31 14:34:00

Irak: Qaraqosh: Mesha parë në Katedralen e shkatërruar nga Isis


Shtresa e shpeshtë plot blozë që mbulon muret e Kishës nuk mjafton për të mbuluar shkrimin “shtetit islamik” pikturuar me dorë të lirë. Disa pllaka janë dërmuar nga nxehtësia e zjarrit, bankat janë përmbysur dhe një pjesë e kulmit është rrënuar, mirëpo Kisha Katedrale e Zojës së Papërlyer spikat gjithnjë e gjithsesi plot krenari në qendrën e qytetit irakian Qaraqosh.

Pas mase dy vjet pushtimi nga xhihadistët e të ashtuquajturit shtetit islamik (Is) – njofton agjencia AsiaNews – për herë të parë u dëgjuan himnet e shenjta në liturgjinë e kremtuar në gjuhën aramaike në qytetin më të rëndësishëm të krishterë të Irakut, Qaraqosh.

Imzot Petros Mouché, kryeipeshkëv i siro-katolikëve të Mosul-it, të Kirkuk-ut e të mbarë Kurdistanit, nënvizon se “kjo Kishë është simbol për ne”. “Ua them shumë qartë – shton ai – sikur të mos ta kishim gjetur siç është tani, sikur të ishte shkatërruar vërtetë krejtësisht, njerëzit e Qaraqosh-it nuk do të kishin dashur të ktheheshin më kurrë”.

Shoqëruar nga katër priftërinj, kryeipeshkvi është kthyer në Qaraqosh dje për të kremtuar Meshën e parë nga rënia e qytetit e nga ikja e banorëve të vetë. E në predikimin e tij, kryeipeshkvi përmendi në mënyrë të drejtpërdrejt ata që e kanë djegur qytetin, ku ka lindur edhe ai personalisht para 73 vjetësh.

“Jemi mbledhur sot këtu për ta pastruar këtë qytet nga të gjitha gjurmët e Isis, nga urrejtja nga e cila të gjithë ne kemi qenë viktima” shtoi kryeipeshkvi imzot Petros Mouché. “Nuk ka njerëz të mëdhenj e njerëz të vegjël, nuk ka mbretër e skllevër. Ky mentalitet duhet të zhduket” vijoi ai, duke përqendruar vështrimin e syve të kaltër mbi secilin element të publikut të vet, formuar nga një grup i vogël ushtarësh të milicëve të krishtera dhe nga përgjegjësit politikë. Shumë shpjet, aroma e kemit u përzije me erën e hirit, ndërsa kërcitja e këmbëve mbi copat e drurit të djegur jehoi sërish në navatën (anijatën) e Tempullit.

E stërmbushur me ushtarë por e zbrazur prej banorëve të vet, qyteti i liruar para një jave, sjell mbresat e luftimeve të tmerrshme. Kudo shihen vetëm grumbuj gërmadhash e mbeturinash të armëve. Sipas atë Majeed Hazem, Mesha e parë, kremtuar në atë çka ka mbetur nga Kisha Katedrale, është një fillim i ri dhe tregon para botës qëndresën e të krishterëve, edhe para të gjitha tmerreve e padrejtësive që ka pësuar”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.