2016-10-30 13:44:00

Restaurohet Kryqi i drunjtë më i lashtë i Bazilikës Vatikanase


Iu paraqit shtypit restaurimi i Kryqit më të lashtë prej druri të Bazilikës së Vatikanit. Do t’i kthehet devocionit të besimtarëve më 6 nëntor, me rastin e Jubileut të të burgosurve. Skulptura, sipas traditës, u realizua në shekullin XIV, nga mjeshtri Pietro Cavallini, që e skaliti Zotin me qepallat e mekura, me sytë gjysëm të mbyllur, ngulur tashmë në amshim, e me gojën gjysëm të hapur, si njeriu që jep shpirt. Kështu e realizoi figurën e të Kryqëzuarit, artisti, duke e skalitur mbi një trung arre, për ta stolisur me ngjyra, në përfundim. Fytyra e Krishtit është plot me emocion për Dashurinë e padashur. Të duket sikur të thotë: “E ç’pret? A e shikon dashurinë? Përgjigju! Mos vono!” E, para Tij, ndjen gati-gati po atë emocion të thellë, që pati ndjerë Shën Françesku në Shën Damian, para të Kryqëzuarit, kur i pati bërë thirrjen: “Ndreqe shtëpinë time! Mos e lërë të rrënohet!”. E të duket sikur sytë e të Kryqëzuarit të ngulen në bebe të syrit e ndjen britmën e tij të fundit: “Gjithçka u krye!”! Të frymëzon shumë mëshirë e shumë humanizëm, kjo vepër e shquar arti e kthyer përsëri në jetë.

Punimet e restaurimit, nisur me rastin e Jubileut të Mëshirës, zgjatën  më se një vit dhe u realizuan me teknologjitë më moderne, falë edhe mbështetjes së Kalorësve të Kolombos.

Në shekuj Kryqi qe mbuluar me 9 shtresa verniku të errët, gjë që e bënte të vështirë shijimin e shkëlqimit të polikromisë së tij. Restaurimi arriti t’ia rikthejë 90% të strukturës origjinale si dhe forcën plastike të korpit. Dy restauratorët kryesorë ishin Giorgio Capriotti dhe Lorenzo D’Alessandro.








All the contents on this site are copyrighted ©.