2016-10-30 11:33:00

Qendra e Italisë: tërmet me madhësi prej 6,5 ballësh. Rrënohet Norcia


Një lëkundje e fortë tërmeti me madhësi prej 6,5 ballësh e me epiqendër në Castelsantangelo sul Nera, Norcia e Preci, u ndje në gjithë qendrën e Italisë, në orën 7.41 të mëngjesit të sotëm. Tre, deri tani, njerëzit, që u nxorën gjallë nga gërmadhat në Tolentino, pranë Maceratës: nuk ka njoftime për viktima të tjera.

Tejet e rëndë situata në Norcia; shembet Bazilika e Shën Benediktit e shembje të ndjeshme vërehen edhe në muret e qytetit. Shumë njerëz dalin në rrugë e mblidhen në sheshin qëndror, ku nisin të luten së bashku. Lëkundja e fortë ndërmjet Marche-s e Umbria-s, e thellë 10 km, ndjehet deri në Austri në veri e edhe në Jug të Italisë. Frikë e madhe edhe në Romë, ku në zonën Marconi shembet një ashensor. Linja A dhe B e Metropolitanës mbyllen për kontrolle e një mori njerëzish, të trembur, dalin me vrap në rrugë. Kontrollohen Koloseum dhe bazilikat e tjera. Bazilika e Shën Palit jashtë mureve të Romës mbyllet, sepse vërehen disa plasa, e po ashtu edhe ajo e Shën Lorencit, ku bien copa suvaje; e pacënuar, Bazilika e Shën Pjetrit.

Trafiku ndërpritet në shumë linja hekurudhore, në qendër të Italisë, ndërsa rruga që çon në Norcia, mbyllet. Shembje të reja edhe në Arquata del Tronto e Amatrice, ku bie kulla e qytetit, simbol i tërmetit të 24 gushtit.  

Ndërsa ky lajm i trishtueshëm vijon të përhapet në të katër anët e botës, Konferenca ipeshkvnore e Umbrias kërkon të mos kremtohen meshë në shumë kisha të zonës, të dëmtuara rëndë a lehtë nga tërmeti e Cnr (Këshilli Kombëtar i Kërkimeve) njofton se nuk përjashtohet rreziku i lëkundjeve të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.