2016-10-29 16:56:00

U lumnuan 4 murgjër Benediktinë, martirë gjatë luftës civile spanjolle


U lumnuan sot paradite katër murgjër benediktinë, të mbytur nga urrejtja për fenë, më 1936, gjatë luftës civile spanjolle. Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi ritin, në Katedralen e Almudenës.

Kisha - tha kardinali Amato - e ruan kujtimin e të drejtëve, kujtimin e dëshmisë së tyre për të mirën. Të katër murgjërit benediktinë ishin të mirë e të butë:

Atë José Antón Gómez kalonte orë e orë në rrëfyestore, gjithnjë buzagaz, gjithnjë i gatshëm për gjithkënd;

Atë Antolín Pablos kishte shpëtuar mrekullisht nga persekutimi antikatolik, që shpërtheu në Meksikë, më 1914, për t’u pushkatuar në Spanjë, më 1936;

Atë Juan Rafael Mariano Alcocer Martínez dinte t’i prekte njerëzit me homelitë e tij, që i dilnin nga zemra, për të hyrë në zemra;

Atë Luis Eulogio Vidaurrázaga Gómez, më i riu nga të katërt,  apostull i madh i Eukaristisë, ishte vetëm 35 vjeç, kur e vranë.

Por të dëgjojmë kardinalin Angelo Amato, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

“Ishte e njëjta masakër, që u krye sa e sa herë kundër klerit katolik në vitet e trishta të persekutimit të Kishës. Edhe Bendiktinët e Lumtur dëshmuan se nuk kishin pikë frike nga martirizimi, pësuar me forcën e krishterë, me  shpirt të butë, të përvujtë e të gatshëm për t’i falur vrasësit. U pushkatuan në atdheun e tyre, me gjakftohtësi, jo pse ishin keqbërës, por pse ishin meshtarë!".

Katër martirët benediktinë u shtohen 1.600 martirëve spanjollë, lumnuar nga Kisha duke nisur nga viti 1987. Është një aradhe e pafundme priftërinjsh, rregulltarësh, laikësh, pleqsh e të rinjsh, grash e burrash: rreth 10 mijë katolikë të vrarë gjatë një lufte, që synonte ta shlyente plotësisht krishterimin nga trojet e Spanjës. Kardinali Amato shpjegon edhe mesazhin, që dëshiron të japë Kisha me këtë Lumnim:

“Në ndjekje të shembullit të martirëve, Kisha sot i fton të gjithë të jetojnë sipas lumturive ungjillore, duke ia shuar qytetit të njeriut etjen me ujin mirëbërës të faljes, të butësisë, të vëllazërisë, të gëzimit”.

I pushkatuan pa faj pa mëkat, këta katër murgjër, që sot janë të Lumtur! Duke harruar se mund t’i pushkatosh njerëzit, por jo virtytet e tyre, që mbeten pas për ta bërë botën vërtet njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.