2016-10-29 15:13:00

Irak: Sako viziton fshatrat e çliruara nga Is: të krishterët do të kthehen!


Vijon ngadalë sulmi i ushtrisë irakiane dhe i peshmergëve kurdë drejt Mosulit, në Irak, ndërsa Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut denoncon rrëmbimin e më se tetëmijë familjeve, të përdorura si mburoja njerëzore nga ana e xhihadistëve në betejë. Rreth qytetit ndjehet fort edhe alarmi humanitar: sipas të dhënave të fundit, të shpërngulurit në zonë janë më se 15 mijë vetë. Dy ditë më parë patriarku kaldeas irakian, imzot Luis Sako, vizitoi gjashtë fshatra të sapo çliruara nga pushtimi i Shtetit të vetëshpallur Islamik. Në mikrofonin tonë, imzot Luis Sako flet, me trishtim e ankth, por edhe me optimizëm e shpresë të madhe:

Përgjigje: - Vizitova, me disa priftërinj e edhe disa besimtarë, i shoqëruar edhe nga ipeshkvi-ndihmës, disa fshatra të Rrafshit të Ninivës, që ishin krejtësisht të krishtera. Nisëm me Bartella-n, fshat i krishterë me shumicë siro-ortodokse, për të vijuar me Karmles, Qaraqosh-in, një fshat i madh me 40 mijë banorë; pastaj me Teleskof-in - 14 mijë; me Baqofa-n - 1.500 e me Batnaya - 5 mijë. Rrënimi është shumë i madh: më se 30%  e  gjësë është bërë rrafsh me tokë. Kishat janë djegur e dhunuar. Në to janë shkruar versete kundër të krishterëve e fjalë të tjera armiqësore. Po nuk janë shkatërruar plotësisht. E kjo ka shumë rëndësi. Të shkatërruara janë edhe rrugët: bëmë 12 orë për të shkuar e për të ardhur…

Pyetje: - Rreth Mosulit shtohet numri i të shpërngulurve e xhihadistët vijojnë t’i masakrojnë civilët. Me ç’sy e shikoni këtë situatë kritike?

Përgjigje: - Për Rrafshin e Ninives, në këto fshatra të krishtera, njerëzit  tanë kanë shumë shpresa, por edhe shumë frikë. Nëse Mosuli do të sulmohet ose do të shkatërrohet, sunnitët mund të shkojnë e të banojnë në këto fshatra e kjo do të krijonte një vështirësi të madhe sepse, pastaj, si do t’i bëjmë të dalin përsëri? Ne po punojmë që të shkojnë në kampet e ngritura për ta. Frikë e madhe, në Mosul. Mund të  ndodhë një masakër…

Pyetje: - Të gjithë e kujtojmë ikjen e ngutshme të të krishterëve nga Niniva: shumica e refugjatëve sot jeton në Erbil. A keni shpresa për çlirimin e shpejtë e përfundimtar të Mosulit? Si e prisni lajmin e sukseseve ushtarake?

Përgjigje: - Me shumë gëzim: njerëzit kanë bërë festë…. Problemi është se duhet çminuar vendi, duhet pastruar nga rrënojat, që njerëzit të mund të shkojnë e t’i shikojnë shtëpitë e tyre, të shohin deri në ç’pikë janë shkatërruar e si mund ta planifikojnë kthimin…

Pyetje: - Mbi kishat janë rivendosur kryqet e këmbanat po kumbojnë përsëri. Besoni se edhe të krishterët e ikur do të rikthehen në shtëpitë e tyre?

Përgjigje: - Shpresojmë. Po, shpresojmë shumë. Jemi lutur para se të niseshim për të vizituar Rrafshin e Ninives. Njerëzit duan të rikthehen, por duhet edhe garanci…Tani për tani lufta nuk ka përfunduar, jemi para problemit të Mosulit. Deri tani janë një milion e 250 mijë njerëz në lëvizje: ku do të shkojnë?

Pyetje: - Mendoni se 2017-ta do të jetë Viti i paqes në Irak? Ç’mesazh u drejtoni këtyre popullsive?

Përgjigje: - E kemi shpallur se me 2017-tën do të bëjmë, si bëri Ati i Shenjtë me Vitin e Mëshirës: për Irakun - mbarë Irakun, të krishterë, myslimanë yazidë - kam bërë thirrje t’ia kushtojnë këtë vit paqes, lutjes ekumenike, takimeve, dialogut mbi kulturën, mbi rrugët e kërkimit të paqes, faljes, bashkëjetesës. Duhet respektuar tjetri, që është vëlla, jo armik, duhet respektuar kushtetuta, rendi, duhet t’i japim fund kësaj mendësie fisnore, kësaj prirjeje për ta bërë drejtësinë me kobure në brez!   








All the contents on this site are copyrighted ©.