2016-10-28 19:01:00

Kardinali Parolin: Papa në Suedi me luteranët, çast historik


“Nga konflikti, në bashkim! Së bashku në shpresë”: kjo, motoja e shtegtimit të 17-të ndërkombëtar të Papës Françesku në Suedi, nga 31 tetori, deri më 1 nëntor. Papa, së bashku me luteranët, përkujton  pesëqindvjetorin e fillimit të Reformës dhe falënderon Zotin për pesëdhjetë vjetët e dialogut zyrtar ndërmjet luteranëve dhe katolikëve. Më 1 nëntor Papa do ta kremtojë Meshën për bashkësinë e vogël katolike suedeze. Për këtë shtegtim na flet Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në vitin 1517 Luteri, murgu Luter, në qytetin e Wittembergut, e kundërshtoi publikisht shitjen e indulgjencave apo ndjesëve për faljen e mëkateve, në rrethanat e shndërrimeve politike, shoqërore dhe ekonomike të shoqërisë së asaj kohe, të cilat i dhanë shkas fillimit të një procesi ndryshimesh që, për fat të keq, çoi në ndarjen e Kishave në perëndim. E ndarja u shoqërua me ndeshje për pushtet, me dhunë e luftëra, luftërat e famshme të fesë, që vijuan për një kohë shumë të gjatë, duke ndjekur njëra-tjetrën. E që nga kjo epokë, praktikisht njëqindvjetoret e Reformës u përkujtuan e u kremtuan me frymë polemike, me shpirtin e ndeshjes e, madje, mund të thuhet, edhe të armiqësisë. Gjithnjë! Po jo këtë herë! Këtë herë nuk është ashtu... për herë të parë katolikët, me praninë e Papës, e luteranët, e përkujtojnë së bashku këtë 500-vjetor të Reformës. E unë mendoj me të vërtetë se mund të flitet për një çast historik, për një gur kilometrik në udhën e pajtimit e të kërkimit të përbashkët të unitetit ndërmjet Kishave dhe bashkësive kishtare. E ky çast kaq i rëndësishëm, është fryt  i dialogut, që vijoi këto 50 vjet, duke nisur nga nxitja e Koncilit II të Vatikanit. Një dialog, që u përpoq t’i shmangte vështirësitë, që kërkoi të krijonte besim ndërmjet palëve e bëri ç’është e mundur të nxjerrë në pah, sipas parimit të formuluar nga Shën Gjoni XXIII, atë që bashkon, më shumë se atë që ndan e përçan. Dialog, në të cilin një nga pikat kryesore qe pikërisht nënshkrimi, më 1999, i Deklaratës së përbashkët për Doktrinën e Shfajsimit, një nga pikat që kishin qenë në zanafillë të polemikës, duke u bërë pastaj, edhe qendër e saj.  Prej këndej duhet falënderuar Zoti që ia arritëm kësaj dite, fryt i udhës, e cila po na çon përpara prej kohe e t’i kërkojmë të na ndihmojë, edhe përmes këtij çasti të përbashkët përkujtimor, ta vijojmë udhën e dialogut e të kërkimit të unitetit në Kishë.

Pyetje: - Pas lutjes ekumenike, do të jetë edhe një çast feste e dëshmie, i menduar posaçërisht për të rinjtë…

Përgjigje: - Po, më duket se do të  kremtohet në stadiumin e Malmö, e do të jetë vërtet çast festiv, çast gëzimi, posaçërisht për të rinjtë. Mora vesh se brenda këtij çasti kremtues do të jetë edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet seksionit të shërbimit për botën të Federatës luterane botërore dhe Caritas Internationalis. Është si të thuash se ky pajtim që po e kërkojmë, duhet të shkojë posaçërisht në dobi të dëshmisë së përbashkët përballë botës, duhet të shprehë  një sjellje dashurie të dhembshur ndaj njerëzve që vuajnë, për arsye nga më të ndryshmet, kudo nëpër botë. E, natyrisht, të rinjtë janë të thirrur të parët ta marrin mbi vete këtë sfidë, sepse janë ardhmëria, janë shpresa e Kishës, siç është thënë shumë herë. E atëhere atyre u drejtohet në mënyrë të posaçme ky çast kremtor, që duhet të shndërrohet në angazhim për një dëshmi të përbashkët.

Pyetje: - Temat e mbrojtjes së krijimit dhe të solidaritetit për më të fundmit besoj se do të jenë në qendër të kësaj dëshmie…

Përgjigje: - Është shumë e rëndësishme të kërkohen fusha të përbashkëta, në të cilat kjo dëshmi do mund të gjejë shprehjen e vet konkrete e, më duket se solidariteti ndaj të fundmëve dhe mbrojtja e kujdesi për shtëpinë e përbashkët, mund të jenë vërtet fusha për angazhim serioz dhe të frytshëm.

Pyetje: - Suedia është vend shumë i shekullarizuar, edhe pse duhet thënë që kohët e fundit, vitet e fundit, vërehet një interesim i ri për fenë. Dëshmia e përbashkët e katolikëve dhe e luteranëve mund të krijojë një  plasë në perden  e individualizmit e të materializmit….

Përgjigje: - Po, sigurisht, mjafton të kujtojmë fjalët e Jezusit: “Nga kjo do të besojnë: në atë masë që ju ta jepni dëshminë e përbashkët”. Natyrisht këto janë rreziqet e shoqërive tona të shekullarizuara: nga njëra anë kjo mbyllje në vetvete, pa dëshirë për t’ua hapur zemrën të tjerëve, e këtu mund të kujtojmë ngulmimin e Papës Françesku mbi kulturën e takimit, e më duket se i njëjti përkujtim synon të nënvizojë këtë përmasë, sepse flet për kalimin nga konfliktet, në bashkim e, më pas, thotë “të bashkuar në shpresë”. E bashkim do të thotë pikërisht kapërcim i individualizmit, kapërcim i mbylljes në vetvete, kapërcim i palosjes në vetvete, që pastaj është në zanafillë e të gjitha konflikteve. E këtë të krishterët duhet ta bëjnë posaçërisht duke dhënë shembullin e tyre të bashkimit, sepse është e kotë të flasësh për bashkim e pastaj të shkosh e të shikosh llogarinë tënde. Prandaj më duket se nga ky këndvështrim do të jetë e rëndësishme pikërisht dëshmia e përbashkët. E pastaj, dëshmia kundër materializmit, që i mbyll horizontet tona vetëm në kufijtë e të mirave tokësore, të realiteteve tokësore, pa ia hapur zemrën realiteteve të mbinatyrshme, pa ia hapur zemrën Zotit. Atëherë katolikë e luteranë janë të thirrur të dëshmojnë së bashku, në emër të fesë në Krishtin Shëlbues, pikërisht gjithë bukurinë, gjithë shkëlqimin e gjithë gëzimin e fesë, që e kanë e që e dëshmojnë.

Pyetje: - Bashkësia e vogël e katolikëve suedezë po zmadhohet gjithnjë  më shumë edhe falë emigracionit. Besojmë se gjesti ekumenik i Papës do t’i ndihmojë të rriten edhe në bashkim me luteranët?

Përgjigje: - Besoj se kjo prani e Papës do të jetë një nxitje e madhe për bashkësinë katolike; do ta nxisë të vijojë kërkimin e bashkimit,  në këtë udhë ekumenike. Sot udha ekumenike është e paprapsueshme, e ndonëse ka pasur e do të ketë edhe vështirësi, besoj se do të ecë përpara me guxim. E, në këtë drejtim, besoj se bashkësia katolike e Suedisë, që pastaj, ashtu siç thatë ju me të drejtë, është shumë e larmishme, mund të punojë së bashku me bashkësinë luterane pikërisht për dëshminë e krishterë. E në këtë drejtim dëshiroj të kujtoj një deklaratë, bërë kohët e fundit, e cila tregon qartë me ç’frymë duan ta vazhdojnë rrugën katolikët e luteranët. Thotë kështu: “Së bashku, katolikë e luteranë do t’i afrohen gjithnjë më shumë Zotit të tyre të përbashkët e Shëlbuesit të tyre Jezu Krishtit". Ia vlen të vijohet dialogu. Është e mundur të lihen pas shpine konfliktet. Urrejtja e dhuna, edhe të motivuara nga feja, nuk duhen banalizuar e, aq më shumë, nuk duhen përligjur, por përkundrazi, duhen kundërshtuar me forcë. Kujtimet e zymta mund të shuhen, një histori e dhimbshme nuk e përjashton mundësinë e një ardhmërie plot me premtime. Mund të arrihet nga konflikti, në bashkim e të përshkohet kjo udhë së bashku, plot me shpresë. Pajtimi ka në vetvete forcën të na bëjë të lirë, t’i afrohemi njëri-tjetrit, por edhe t’i kushtohemi njëri-tjetrit në dashuri e shërbim. Janë fjalë shumë të bukura, e është posaçërisht e bukur kjo ardhmëri plot me premtime. Shpresojmë se ky përkujtim i përbashkët do të na hapë udhën e ardhmërisë së Zotit, që është gjithnjë ardhmëri e pasur me premtime! 








All the contents on this site are copyrighted ©.