Më 27 tetor kalendari përkujton Shën Frumencin, ungjillëzuesin e parë të Etiopisë.
Emri i shenjtit na kujton një fakt historik të shekujve të Mesjetës, me interes të
veçantë: lajmin që sollën në Evropë kryqtarët, në sa ktheheshin nga Toka Shenjte.
Në Jerusalem kishin takuar disa shtegtarë zezakë, të ardhur nga një vend i largët
afrikan me një qytetërim të panjohur, por që dalloheshin menjëherë se ishin të krishterë.
Ishte një fakt i jashtëzakonshëm, sepse qëkur zonat e krishtera ishin zhdukur nga
trojet afrikane, pas pushtimeve të arabëve myslimanë në shekullin VII, Afrika nuk
i përkiste më gjeografisë së krishterimit. Kuptohet, prandaj, sa u mrekulluan kryqtarët,
kur morën vesh se në viset e egra të Afrikës së panjohur, jetonin njerëz tepër të
zinj e me pamje të çuditshme, që mbanin lart flamurin e Krishtit përtej kufijve të
pushtimeve myslimane.
Këta njerëz ishin etiopë, vinin nga Etiopia, ku kristianizmi kishte arritur që në
shekullin IV, njëherësh me një djalosh të quajtur Frumenci, i cili shtegtonte me qëllim
studimi, së bashku me një shok tjetër, Edesin, si shoqërues i një filozofi. Anija
me të cilën shtegtonin u ndalua në Abdulis, në Detin e Kuq, ku u sulmua nga etiopët,
të cilët e masakruan gjithë ekuipazhin, duke përfshirë edhe filozofin. Ndërsa dy të
rinjtë, që kishin zbritur në tokë, i kapën e ia dhuruan mbretit të tyre. Ishin të
dy të rinj të shkathët e të zgjuar, prandaj edhe i pëlqyen shumë sovranit, që e zgjodhi
Frumencin si sekretar, ndërsa Edesin, si kopist. Si vdiq mbreti, të rinjtë u zgjodhën
këshilltarë të pasardhësit, ende të mitur. Mbreti i ri, Ezana e pranoi i pari mesazhin
ungjillor dhe i lejoi këshilltarët e vet të ndërtonin kisha për tregtarët e krishterë
që ndaloheshin ndër këto brigje.
E në se shtegton në rrafshnaltat që rrethojnë Axumin, do të vëresh menjëherë kudo
kapela të vogla kushtuar Shën Frumencit. Etiopia, e cila në botën e lashtë njihej
si India e përtejme, e nderon jashtëzakonisht shenjtin, të cilin e quan Abba Salama,
që do të thotë "Atë Paqësori" ose "mbartësi i dritës". E kjo dritë që morën nga djaloshi
ndriçon edhe sot mendjen dhe zemrën e banorëve të këtyre viseve të largëta, mbi të
cilat më se një herë u dynd stuhia e persekutimit.
Shën Frumenci vijoi këtu misionin e tij ipeshkëvnor deri në vdekje, rreth vitit 380,
duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një
kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues
të dritës".
All the contents on this site are copyrighted ©. |